Shakhtari “mace e zezë” për Interin, Ajaxi mposht pa problem Besiktasin

28/09/2021 22:13

Shkakhtar Donetsk shndërrohet në një “mace të zezë” për Interin, që për të tretën ndeshje radhazi nuk ia del të shënojë ndaj ukrainasve.

Sezonin e kaluar zikaltrit mbyllën në barazim pa gola të dy përballjet me Shakhtarin dhe pikërisht për këtë arsye, i dhanë lamtumirën Ligës së Kampionëve që në fazën e grupeve, ndërsa goglat u dhanë shansin të hakmerren këtë herë, por sërish pa sukses.

Pas humbjes minimale 0-1 ndaj Realit të Madridit, zikaltrit udhëtuan drejt Ukrainës për sfidën e dytë në grup, por sërish nuk shkuan përtej barazimit pa gola, duke komplikuar edhe njëherë kalimin e fazës së grupeve, ndonëse kanë ende edhe katër ndeshje në dispozicion.

Pjesa e parë në Kiev ishte e barabartë, me zikaltrit që iu afruan golit me Edin Dzekon, por boshnjaku humbi një mundësi flagrante për të shtyrë topin në rrjet, ndërsa 45-minutëshi i dytë u kontrollua nga vendasit, që gjithsesi u mjaftuan me qarkullim topi dhe nuk arritën të kërcënojnë.

Mundësitë më të mira të shënimit i patën pikërisht zikaltrit në minutat e fundit, me Correan dhe De Vrij, por në të dy rastet portieri Piatov reagoi në mënyrë fantastike, duke grushtuar topin dhe mbajtur portën të paprekur.

Bën mjaft mirë ndërkohë Ajaxi i Amsterdamit, që triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Besiktasit dhe konsolidoi pozitat me 6 pikë të plota në krye të grupit. Holandezët zgjidhën gjithçka në pjesën e parë me golat e Berghuis dhe Haller, duke menaxhuar më pas qetësisht lojën.

Top Channel