Më 24 korrik të 1880-ës, gazeta braziliane “Gazeta de Noticias” përfshinte këtë shënim të redaksisë:
“Kemi kënaqësinë të botojmë sot letrën e parë të shkrimtarit të përmendur portugez, zotit Eça de Queiroz, që e pranoi ftesën që i bëmë për të qenë korrespondenti ynë në Londër”.
“Gazeta de Noticias”, gazetë e themeluar nga Ferreira de Araujo-ja më 1875-ën, shumë shpejt u dalluar për bashkëpunimin e shkrimtarëve të mëdhenj kombëtarë (si Machado de Assis-i, Raul Pompeia dhe Eduardo Prado-ja) dhe të huaj, mes të cilëve portugezët Oliveira Martins, Ramalho Ortigao dhe vetë Eça de Queiroz.
Ky bashkëpunim fillon ndërsa Eça ushtron detyrën e konsullit në Bristol (1878-1888). Kësaj periudhe i përkasin dy kronikat e para të “Jehonave të Parisit”, “këto jehona me të cilat bëhet historia”. Më 1888-ën shpërngulet në konsullatën e Parisit, ku do të kalojnë tre vjet pa i dërguar as edhe një rresht të vetëm Gazeta-s. Më 1892-shin do t’i rilidhë me rregullsi bashkëpunimet e tij.
Qëllimi i kronikave të tij ishte të ofronte, në mënyrë të këndshme dhe zbavitëse, një pamje të panoramës shkencore, letrare, artistike dhe, sidomos, sociale të Londrës dhe më vonë të Parisit. Nuk bëhet fjalë për shkrime të thjeshta politike. Jehonat e tij trajtojnë çështje nga më të ndryshmet: që nga politika ndërkombëtare deri te moda, nga anarkizmi te problemet e transportit publik në Paris, pa harruar kritikën letrare dhe estetike e as satirën lokaliste. Pikëmbështetja e tij është gjithnjë vëzhgimi dhe intuita, dhe vetëdija e rolit që turmat anonime përfaqësojnë në zhvillimin e ngjarjeve shoqërore. Ajo çka i intereson nuk është prova dokumentare, e dhëna erudite, por mjedisi, atmosfera, skena, tërësia e rrethanave që shoqërojnë një ngjarje.
Para së gjithash, Eça de Queiros-i është një artist, një romancier i klasit të parë me të gjitha shqisat na beh para spektaklit të botës, dhe siç ai vetë na thotë: “Spektakli më i mirë për njeriun, do të jetë gjithnjë vetë njeriu”.
Më 16 gusht 1900 ndërronte jetë Eça de Queiros-i në shtëpinë e tij në Neuili. Në datën 24 “Gazeta de Noticias” i kushtonte një faqe të tërë nderimit të shkrimtarit gjenial portugez, ku Machado de Assis-i shkrunte: “Ajo që kishte filluar me mosbesim, përfundoi me admirim”.
“Jehonat e Parisit” janë një dokument me interes të madh që mbulon një aspekt të romancierit luzitan të panjohur deri më sot nga publiku i gjuhës kastilajne. Eça është një shtegtar me kulturë të gjerë, që zotëron si askush tjetër mjetet e ironisë.
Top Channel