Shënoi pas 336 ditësh, sulmuesi meksikan premton të mos ndalet më

27/09/2021 10:30

Sulmuesi meksikan Raul Jimenez u rikthye te goli pas plot 336 ditësh dhe e bëri këtë në transfertën ndaj Southamptonit, teksa pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtësve vendas, dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë tre pikët skuadrës së Wolves.

Futbollisti 30-vjeçar meksikan, që shënoi 30 gola në dy sezonet e tij të parë me “ujqërit”, pësoi një dëmtim të rëndë më 29 nëntorin e vitit të kaluar ndaj Arsenalit dhe u rikthye në fushat e lojës vetëm në mesin e muajit korrik.

Por ndonëse kishte luajtur si titullar në sfidat e para të këtij sezoni në kampionatin anglez, nuk ia kishte dalë të dërgojë topin në rrjetë dhe e bëri këtë pikërisht pasditen e djeshme, ndërsa festa për golin e tij ishte vërtetë e çmendur në pankinë e Wolves.

“U ndjeva shumë mirë për golin, pasi po luftoja dhe po punoja shumë që të shënoja. E dija që shumë shpejt do të shënoja sërish dhe ky gol ishte vërtetë i veçantë, pasi ishte i pari që prej atij dëmtimi të rëndë, që më mbajti larg pasionit tim për shumë muaj. Për këtë gol nuk festova vetëm unë, por e gjithë familja ime, shokët e ekipit, mjekët, fizio-terapistët, stafi teknik e ai drejtues. Të gjithë më qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe dua t’ua shpërblej me shumë gola të tjerë në vijim”, deklaroi sulmuesi meksikan pas ndeshjes.

Top Channel