Lukaku: Përgjunja nuk mjafton, duhen aksione më të forta kundër racizmit

23/09/2021 16:38

Që prej fillimit të 2020-ës, para çdo ndeshjeje të Premier Leagues, kombëtares angleze, etj., futbollistët përgjunjen për disa sekonda, në formë proteste ndaj çdo shfaqjeje të racizmit dhe diskriminimit.

Megjithatë gjesti duket se po e humb rëndësinë e tij nga java në javë dhe tashmë futbollistë të caktuar kanë deklaruar se nuk do të përgjunjen më, por do të mjaftohen me gishtin tregues drejt shënimit “Thuaji Jo Racizmit”, që është mbi fanellat e tyre.

Duke folur për këtë temë, një nga futbollistët që ka vuajtur vetë racizmin në fushat e blerta, Romelu Lukaku deklaroi se tashmë përgjunja para ndeshjes nuk mjafton dhe se ka ardhur koha për një aksion konkret, ku të përfshihen edhe kompanitë e rrjeteve sociale.

“Unë mendoj se mund të ndërmarrim aksione më të forta. Ne po përgjunjemi dhe të gjithë po e bëjnë, por në fund nuk po shohim rezultat. Mendoj se është koha të ulemi rreth tavolinës dhe të diskutojmë për këtë çështje, se si mund të reagojmë sa më mirë jo vetëm në futbollin e meshkujve, por edhe në atë të femrave. Mendoj se duhet të flasim me kompanitë që kanë pronësinë e rrjeteve sociale, për të bashkëpunuar në identifikimin e shfaqjeve raciste”, deklaroi Lukaku.

Aktualisht platformat sociale si Facebook, Instagram dhe Twitter po ndërmarrin aksione për të identifikuar në kohë dhe bllokuar fjalë a shprehje me përmbajtje raciste, megjithatë pavarësisht filtrave të shumtë, fenomeni vijon të jetë shqetësues.

Top Channel