Goditi me shqelma Payet, tifozi i Nice dënohet me 6 muaj burg

22/09/2021 20:54

Zbritja e tifozëve në fushë për t’u përleshur me sulmuesin e Marseille, Dimitri Payet ishte një skenë aspak normale për një ndeshje futbolli, e cila për më tepër u ndërpre para kohe në kushtet e frikës për atë që mund t’u ndodhte futbollistëve në fushën e lojës.

Autoritetet vepruan shpejt duke vënë para drejtësisë tifozët agresorë, ndërsa personi që goditi me shqelma sulmuesin Payet, është dënuar me 6 muaj burg nga një gjykatë në qytetin e Nice dhe do të vuajë dënimin duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme.

Sfida Nice-Marseille u ndërpre pasi tifozët hodhën fillimisht me sende në drejtim të Payet dhe pasi ky i fundit reagoi, ata zbritën në fushë për t’u përleshur me të dhe futbollistë të tjerë të Marseille.

Ndërkohë organet disiplinore të Ligue 1 kanë pezulluar fushën e Nice për dy ndeshje pa praninë e tifozë, i kanë hequr klubit një pikë në renditjen e përgjithshme dhe kanë vendosur që sfida mes dy skuadrave të riluhet nga minuta e parë në një datë për t’u përcaktuar në të ardhmen.

Mësymja e tifozëve në fushë është një fenomen që u përsërit sërish fundjavën e kaluar në kampionatin francez, pasi disa tifozë të Lens vrapuan në pushimin e ndeshjes për t’u përleshur me ata të Lille, duke bërë që pjesa e dytë të niste me rreth 30 minuta vonesë.

 

Top Channel