Sjellja e pahijshme e Joao Felix, portugezi pezullohet dy ndeshje

21/09/2021 20:55

Fundjava e kaluar nuk ishte aspak pozitive për Atleticon e Madridit dhe Simeonen, pasi skuadra barazoi në shtëpi përballë Bilbaos.

Një ndeshje që nuk shkoi aspak mire për madrilenët, pasi në minutën e 78-të Joao Felix u ndëshkua në harkun e pak sekondave me dy kartonë të verdhë, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Në përfundim të ndeshjes, në raportin e arbitrit kryesor, Manzano, cilësohej se kartonin i dytë i verdhë ishte për sjellje josportive dhe kaq ka mjaftuar që Komisioni i Disiplinës të marrë një vendim të ashpër për portugezin, duke e dënuar me dy ndeshje pezullim.

Felix humbi ndeshjen përballë Getafes dhe gjithashtu nuk do të jetë i gatshëm dhe për takimin e fundjavës, të shtunën ndaj Deportivo Alaves, përsëri në transfertë. Reagimi i Felix pas kartonit, duke goditur topin me forcë, në shenjë reagimi, i ka kushtuar shumë, duke “braktisur” skuadrën në një moment delikat. Gjithsesi, pas njoftimit, klubi i Atleticos së Madridit ka pranuar se do ta apelojë vendimin dhe pse ka shumë pak orë në dispozicion për të bërë të mundur që portugezi të jetë i gatshëm ndaj Alaves, në të kundërt ai do të jetë në dispozicion vetëm në Champions League, ndaj Milanit dhe për t’u rikthyer në 2 tetor në La Liga, në takimin përballë Barcelonës.

Top Channel