Vllaznia ndaj Teutës për hakmarrje, Partizani për fitoren e parë në Korçë!

18/09/2021 16:20

Vllaznia –Teuta është pa dyshim kryendeshja e fundjavës. Në futbollin që ndryshon, është një sfidë që po merr konture të rivalitetit të veçantë. Për atë që bënë sezonin e kaluar, me titullin që shkoi në minutat e fundit të një kampionati të çmendur në Durrës, për keqardhjen e shkodranëve, si dhe finale e Superkupës që pa fituese sërish Teutën me fitoren e pastër 3-0, rezultate që shtojnë etjen e kuqebluve për revansh.

Këtë herë kanë në favor edhe faktorin “Loro Boriçi”, me tifozët e rikthyer do të jetë një mbështetje e fuqishme për skuadrën në fushë, ku Thomas Brdaric, përgatitet të hedhë të njëjtin formacion si në fitoren me Laçin.

Gurishta dhe Diagne pritet t’ia dalin. Në sfidën me kurbinasit ekzaltoi një Vllazni sulmuese, e aftë të shënonte 5 gola në një fushë të vështirë, por në krahun tjetër 3 golat e pësuar janë një detyrë shtëpie për t’u korrigjuar.

Teuta shkon në Shkodër me shpirtin e duhur: kampionë në fuqi, fitues të Superkupës dhe pas një suksesi të rëndësishëm ndaj Partizanit. Për Edi Martinin, një mungesë e vetme, ajo afatgjatë e Lorenco Vilës, me trajnerin që, besnik ndaj motos “skuadra që fiton nuk ndryshohet”, pritet të prezantojë të njëjtin formacion si në sfidën hapëse të kampionatit.

Një Teutë cinike dhe e ekuilibruar, me një mbrojtje të hekurt, përballë një Vllaznie që shënon dhe pëson, janë të gjithë përbërësit për ta bërë sfidën më intriguese edhe në aspektin teknik. Skena pritet të jetë e denjë për ndeshjet e mëdha, në “Loro Boriçi” nxehtësia e tifozëve është e garantuar.

Skënderbeu–Partizani është një sfidë me apel reagimi. Korçarët, pas humbjes me Tiranën, shohin një tjetër rival kreyqytetas, të kuqtë e Ilir Dajës, që e nisën me këmbën e gabuar përballë Teutës dhe tani shkojnë në Korçë me opsionin e vetëm fitoren. Një sezon i ri sapo ka nisur dhe emrat vlejnë pak, pavarësisht se Partizani i Dajës niset ndoshta me petkun e favoritit në këtë aspekt.

Të kuqtë kanë pësuar një ndryshim rrënjësor në organikë gjatë verës dhe Skënderbeu sezonin e shkuar bëri një mrekulli të vërtetë me sigurimin e mbijetesës, vlerat mund t’i konfirmojë vetëm fusha.

Arkitekti i asaj arritjeje Migen Memelli e di se për të bërë një kampionat të mirë vlejnë ndeshjet në shtëpi, gjithmonë me shumë grintë e besim për të luajtur me kokën lart përballë çdo kundërshtari. Mbi të gjitha duhet evituar një paraqitje me 4 gola të pësuar si ajo ndaj Tiranës.

Në mbrojtje do të mungojë një ndër lojtarët kryesorë, Zguro, i ndëshkuar pikërisht ndaj bardhebluve dhe me shumë mundësi do të zëvendësohet nga Vrapi.

Mungesë e rëndësishme në kampin tjetër ajo e Arinaldo Rrapajt, lojtar që Daja i beson, faktor që i hap dyert e 11-shes titullare një prej afrimeve të rëndësishme Ergys Kaçe apo Esat Mala, me këtë të fundit të favorizuar.

Edhe pse të dyja skuadrat vijnë pas humbjeve respektive, presioni anon nga Partizani. Të kuqtë duhet të luftojnë për titullin kampion dhe për të çimentuar besimin te vetë grupi janë të nevojshme pikërisht ato, fitoret dhe aftësia për t’u ringritur shpejt pas çdo gabimi. Një rast i mirë për ta provuar, është edhe ky ndaj Skënderbeut!/SS

Top Channel