Ndeshja Skënderbeu-Partizani mbaroi me rezultatin 1-1 pasditen e sotme.

Nëse në ndeshjet e parë ndaj Teutës, gabimi i rëndoi vetëm Alban Hoxhës, në takimin e Korçës, përballë Skënderbeut, që u mbyll 1-1, përgjegjësia kryesore shkon për Damcevskin, por nuk është pa faj edhe “gardiani” i të kuqve, që duhej të komunikonte më mirë me mbrojtësin e sapoardhur te Partizanit.

Ilir Daja preferoi të aktivizonte titullar Ergys Kaçen në mesfushë, duke lënë në stol Esat Malën. Nisje e vrullshme e lojës nga ana e Partizanit, që tenton disa herë portën, po goditjet e të kuqve bllokohen nga mbrojtja e korçarëve (8’).

Musta harkon rrezikshëm në minutën e 12-të në ekzekutimin e një goditjeje të lirë, por reagon portieri Rexhepi, duke larguar rrezikun. Partizani gjendet në vazhdimësi në zonën e vendësve, në kërkim të zhbllokimit të rezultatit (18’. 20’, 23’), ndërsa Skënderbeut i jepet mundësia për të shënuar në të 26-tën, kur Mara asiston sulmuesin Mensah, që nuk e shtyn dot topin drejt rrjetës, përballë Hoxhës.

Momenti i fundit për t’u shënuar në pjesën e parë është ai i minutës së 40-të, kur Stenio Junior thuajse në vijën e 16 metrave godet mbi tra.

Pjesa e dytë (53’) nis me pretendimet për 11-metërsh të futbollistëve të Partizanit për një ndërhyrje në zonë ndaj Tedi Carës. Ndeshja vijon, por pas verifikimit të pamjeve në sistemin VAR, gjyqtari Florian Lata akordoi 11-metërsh. Penalltinë e merr përsipër Stenio Junior, që nuk gabon me topin në një krah dhe portierin Rexhepi në krahun tjetër, 0-1.

Festa e të kuqve zgjat pak sekonda, pasi një gafë e Damcevskit, që e la topin e gjatë për Alban Hoxhën, i dha mundësi Elvi Berishës të barazonte rezultatin, 1-1.

Dy gola të shënuar brenda dy minutave lojë, që e nxehën edhe më shumë këtë përballje (61’ karton i verdhë pë Memellin).

Në të 64-tën Skënderbeu kërkon golin e dytë, por gjuajtja e korçarëve është qendrore, e lehtë për t’u kontrolluar nga Hoxha. Daja në të 66-tën freskon skuadrën me aktivizimin e Malës në vend të Muratajt.

Çfarë humbet Erald Marku në të 73-tën. Numri 7 i të kuqve nga ia doli të godiste saktë pas një asisti të marrë nga Stenio Junior. Cardoso vetëm një minutë më vonë gabon shënjestrën. Në të 78-tën Rexhepi shmang golin e dytë të Partizanit, që vazhdon të këmbëngulë për të rrëmbyer fitoren.

Goditja me kokë e Stenio Junorit në sekondat e fundit të shtesës, jashtë portës, ishte momenti i fundit për t’u shënuar, pasi kryesoi Lata vërshëlleu për përfundimin e takimit, rezultati i të cilit kënaqi vendësit dhe hidhëroi të kuqtë, që ndoshta për atë që treguan në fushë meritonin më shumë.

Top Channel