Dekretimi nga presidenti Ilir Meta pa asnjë hezitim i 16 ministrave të propozuar nga Edi Rama i hapi rrugën votë-besimit në parlament.
Ora 10:00 e të enjtes do ta gjejë parlamentin në seancë plenare nga ku kryeministri Edi Rama do të shpalosë programin politik të qeverisjes për katër vitet e ardhshme.
Më pas kryeministri do t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve nga ku do të shihet edhe performaca e grupit të parlamentar të PD. Deri në orën 16:00 seanca do të vijojë me debate për atë çfarë do të paraqesë Edi Rama dhe ministrat e propozuar.
Pritet me interes për tu parë numri votave që do të marrë votëbesimi qeverisës i ri dhe nëse do të ketë përsëri rrjedhje vote nga opozita.
Nuk përjashtohet mundësia që menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, Edi Rama t’i prijë ministrave për etapën finale qeveri-formuese atë të betimit në presidencë.
Qeveria Rama 3 dominohet nga ministret femra plot 12, disa prej të cilave për herë të parë do të mbajnë portofole ministrore.
Prurjet e reja që sjell Edi Rama në skuadrën e tij qeverisëse janë Delina Ibrahimaj në krye të financave shqiptare, Frida Krifca si ministre bujqësie, Edona Bilalin ministre shteti për sipërmarrjen dhe Bora Muzhaqi ministre shteti për Rininë dhe Fëmijët.
Pjesë e qeverisë së re do të jenë 9 ministra që kanë shërbyer edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës të socialistëve.
Top Channel