Me VAR dhe emër të ri, Teuta mposht Partizanin në startin e Superiores

10/09/2021 22:30

Me triumfin minimal 1-0 të Teutës kampione në fuqi ndaj Partizanit, ka ngritur siparin edhe kampionati elitar i futbollit në Shqipëri, që këtë sezon vjen me risi, pasi për herë të parë ka shitur emrin dhe do të quhet “Abissnet Superiore”, por gjithashtu po për herë të parë është implementuar sistemi VAR në ndihmë të trupës arbitrare.

Me “Niko Dovanën’ të padisponueshëm për shkak të punimeve që po kryhen në të, durrsakët zgjodhën “Elbasan Arenën” për të pritur ndeshjen hapëse të sezonit, ndërsa nga kjo përfitoi jo pak edhe Partizani, duke qenë se fansat e “të kuqve” ishin më të shumtë në numër në shkallët e impiantit.

Shqelmin e parë nga qendra, topit ia dha ish kapiteni i Teutës, Renato Arapi, që në mënyrë simbolike i dha lamtumirën futbollit të luajtur, për të nisur tashmë një tjetër rrugë, momentalisht si drejtor sportiv te durrsakët, ndërsa më pas spektaklin e morën përsipër futbollistët në fushë.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha pikërisht skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, teksa pas ekzekutimit të një këndoreje, ishte mesfushori Herald Marku që i gjeti kohën topit dhe gjuajti saktë në portë, por reagoi mjaft mirë Pano Qirko, duke grushtuar sferën.

Në minutën e 17’, Teuta zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm dhe Pepi Georgiev lëshoi një goditje të bukur në pozicion të prirët me portën, por shtylla e portës së Alban Hoxhës, i mohoi gëzimin e golit të parë.

Megjithatë vetëm një minutë më vonë ishte kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha që gaboi në mënyrë fatale, pasi mbajti më shumë se duhet një top në këmbët e tij dhe më pas në tentativë për ta larguar, gjeti këmbët e Georgiev, duke bërë që topi i devijuar të ndalej në rrjetën e portës së tij.

Teuta merr avantazhin, me Pepio Georgiev që shënon kështu edhe golin e parë të edicionit të 83-të të Abissnet Superiores, ndërsa më pas nuk mund të mungonte as një karton i verdhë për festën me heqjen e fanellës.

Partizani provon të reagojë dhe fiton epërsi territoriale, por pa arritur të shkojë kërcënueshëm në zonën e portës së mbrojtur nga Pano Qirku, ndërsa 45-minutëshi i parë i sfidës mbyllet me avantazhin minimal të durrsakëve.

Pjesa e dytë nis sërish me kryeqytetasit më kërkues dhe në minutën e 55-të ishte Tedi Cara që lëvizi bukur drejt qendrës e lëshoi një të djathtë të fortë, por topi u devijua nga mbrojtësi Ivanoviç dhe më pas u largua rreziku nga zona.

Pikërisht për këtë moment erdhi në ndihmë për herë të parë Video Assistant Referee, që i kërkoi arbitrit Juxhin Xhaja të rishikojë aksionin dhe pas kësaj, kryesori vendosi të akordojë penallti për Partizanin dhe karton të verdhë për Ivanovic, për prekje të topit me dorë.

Nga pika e bardhë shkoi sulmuesi brazilian Stenio Junior, i cili arriti të dërgojë në krahun tjetër portierin Qirko, por topi i goditur prej tij nuk kishte shënjestrën e duhur dhe përfundoi jashtë, ngjitur me shtyllën pingule të portës.

Minutat kalojnë dhe Daja vendos të freskojë ekipin, duke hedhur në fushë për herë të parë në Abissnet Superiore, mesfushorin Ergys Kaçe dhe Esat Malën e Albion Markun, ndërsa Martini ndërhyn në sulm, duke kthyer në pankinë dyshen Plaku-Georgiev për të aktivizuar Grudën e Koubemba.

Kryeqytetasit vijojnë të kenë iniciativën, por në pamundësi për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të Teutës, provojnë shpesh me topa të gjatë, të cilët zotërohen në të gjithë rastet nga portieri Pano Qirko, i cili konfirmohet një pikë e fortë e durrsakëve, ndonëse luante vetëm ndeshjen e dytë zyrtare me ta.

Koha e rregullt dhe 6 minutat shtesë të akorduara nga arbitri Juxhin Xhaja, nuk prodhuan asgjë për t’u shënuar dhe Teuta festoi 3 pikët në start, duke konfirmuar se mbetet skuadra për t’u mposhtur, ndërsa Partizani duket ende larg formës së shfaqur një sezon më parë./SuperSport/

FOTO GALERI
2/11

Top Channel