Një shpërthim ka ndodhur në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientët e sëmurë me COVID-19. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:02, të mbrëmjes së sotme.
Forcat zjarrfikëse kanë ardhur menjëherë në vendngjarje dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin si dhe të ndihmojnë pacientët të dalin prej saj. Rrethanat mbeten ende të paqarta për arsyet e shpërthimit dhe djegien e spitalit.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se kanë humbur jetën 15 pacientë, ndërsa në spital kanë qenë të shtruar 24 pacientë të infektuar me covid.
Në vendngjarje ka shkuar menjëherë kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila me lot në sy përpara mediave u shpreh se dhimbja është shumë e madhe për ngjarjen e sotme, pavarësisht shkakut të saj.
Edhe ministri i Shëndetësisë, bëri një shkrim në Twitter duke njoftuar se është nisur drejt vendngjarjes, ndërsa apeloi për qetësi tek qytetarët deri sa të dalë një informacion zyrtar.
Top Channel