Një vendim i formës së prerë të Gjykatës së Apelit ka risjellë sërish në vëmendje një nga koncesionet më debatuara të qeverisë Rama, atë për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Përmes vendimit të datës 29 korrik, Gjykata Administrative e Apelit ka anuluar urdhrin e vitit 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës për ndërprerjen e procesit të shqyrtimit te koncesionit të kësaj rruge. Koncesioni asnjëherë nuk kishte marre miratim nga qeveria.
Referuar vendimit të formës së prerë që mban firmën e gjyqtareve Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa, Gjykata urdhëron dikasterin e ministrisë së Infrastrukturës që t’i paraqesë Këshillit të Ministrave për miratim kontratën e koncesionit me kompaninë Gener 2, që do të ndërtonte dhe mirëmbante këtë rrugë së bashku me të gjitha dokumentet bashkëshoqëruese.
Kompania në fjalë fitoi koncesionin përmes një propozimi të pa kërkuar në vitin 2018, ku qeveria miratoi edhe bonusin për kompaninë, ku kostoja totale e ndërtimit të autostradës pre 21 kilometra arrinte shifrën e rreth 56.3 miliardë lekë apo rreth 457 milionë euro.
Por, negociatat nuk u përmbyllën dhe në janar të vitit 2019 Ministria e Infrastrukturës vendosi të anulojë procedurat për koncesionin e Partneritetit Publik Privat për ndërtimin e 21 kilometrave rrugë të aksit Thumanë – Kashar.
Pas kësaj, kompania fituese ngriti padi në Gjykatë ndaj ministrisë së Infrastrukturës duke kërkuar anulimin e këtij urdhri dhe vijimin e procedurës për dhënien me koncesion të ndërtimit të aksit rrugor.
Pas gati 2 vite në heshtje, tashmë vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duket se e ka riaktivizuar sërish këtë koncesion mjaft të kontestuar dhe mbetet në dorë të qeverisë nëse do të animojë apo jo vendimin për pezullimin e dhe ekzekutimin e vendimit të Apelit.
Top Channel