Temperaturat e larta të kësaj vere të nxehtë kanë ndikuar në rritjen e ndotjes së ajrit nga mbetjet hidrokarbure në zonat naftëmbajtëse.
Banorët e fshatit Marinez prej vitesh vuajnë nga sëmundjet në gjak.
Shkak për këtë është derdhja pa kriter e mbetjeve hidrokarbure dhe ndotja e ajrit nga kompanitë naftënxjerrëse që operojnë në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinezes.
Më të prekur nga kjo sëmundje janë ata që kanë punuar në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërsa thuajse i gjithë fshati vuan nga sëmundja e fenoleve në gjak. Banorët thonë se ndotja e ajrit nga mbetjet hidrokarbure dhe gazrat që çlirohen në hapësirë janë të përhershme, ndërsa më shumë ato ndihen në orët e para të mëngjesit.
Hedhja pa kriter e mbetjeve hidrokarbure që dalin nga puset e naftës veç ajrit, ndotin tokën dhe nëntokën.
Uji që vjen në shtëpitë e fshatit nuk është i pijshëm, ndërkohë që prodhimet bujqësore dhe blektorale thuajse nuk konsumohen për shkak të ndotjes së madhe.
Megjithëse gjendja mjedisore është tepër e rëndë, banorët e Marinezës nuk kanë shpresë se ajo mund të përmirësohet.
Shpërngulja nga fshati është e vetmja zgjidhje por pjesa më e madhe nuk mund të largohen për shkak të pamundësive ekonomike.
Top Channel