Popullariteti i Arteve Marciale Mikse (MMA) po rritet gjithnjë e më shumë në rang botëror, duke e shndërruar këtë sport në një nga më të preferuarit.
Prej vitesh ndeshjet në kafaz kanë zbarkuar gjithashtu edhe në Shqipëri, me duele zyrtare të cilat organizohen nga Federata Shqiptare e Ndeshjes së Lirë.
Kjo e fundit më datë 20 gusht në orën 18:00 ka planifikuar zhvillimin e aktivitetit të radhës, event që do të mbahet në qendër të qytetit të Durrësit, pranë bashkisë, dhe që do të dhurojë shumë ndeshje interesante. Aktivitet që konsiderohet si më i madhi i këtij lloji i mbajtur ndonjëherë në vendin tonë.
Lajmin e ka dhënë vetë Federata Shqiptare e Ndeshjes së Lirë me anë të një postimi në faqen e saj në rrjetet sociale, ku jep detaje mbi eventin “Albanian Fighting Championship ACF 9”, i cili pritet me shumë interes nga të pasionuarit e këtij sporti në vendin tonë.
Risia e AFC-9 është ndeshja kryesore profesioniste me 3 raunde nga 5 minuta midis Leon Krajaçiç nga Kroacia kundër sportistit kuq e zi Marko Doda, duel për peshën -84 kg. Në ring do të ngjiten gjithashtu edhe luftëtarë të tjerë kuqezinj nga Shqipëria dhe Kosova.
Top Channel