Messi te PSG, mund të bëhet, edhe në aspektin financiar.

Sigurisht, me pak kreativitet dhe fleksibilitet mes Ligës franceze dhe Uefa-s. Në fund gjithsesi falë të ardhurave të pritshme, llogaritë mund të dalin në rregull, pavarësisht gropës në bilanc të prodhuar nga një vit e gjysmë pandemi që ka goditur të gjithë botën e futbollit. Sipas L’Equipe Messi është një investim që mund të realizohet me PSG-në që mund t’iu shpëtojë sanksioneve të Fair-Playt financiar të cilave ju është nënshtruar në të kaluarën.

Edhe në Ligue 1, ashtu  si në La Liga egziston rregulli i një tavani prej maksimumi i 70% të të ardhurave që mund të shpenzohen për buxhetin e pagave. Por nëse Barcelona ju nënshtrua këtij rregulli, në Francë dhjetorin e kaluar, kur ranë të ardhurat për shkak të stadiumeve të mbyllura dhe largimit të sponsorave, u aprovua një moratorium, pra një shfuqizim i këtij rregulli për disa vjet. Për këtë arsye, klubi i emirit të Katar, i ka duart e lira për të menxhuar rritjen me 40 milionë euro bruto të zërit të pagave, paga që vlerësohet se duhet paguar për kontratën dy- vjecare të Lionel Messi-t.

Nga fronti i Uefa-s ndërkohë pritet më shumë tolerancë. Kontrollet e fair-playt financiar kanë dënuar në të kaluarën PSG, që u detyrua të reduktonte sponsorët nga Katari, por u ndëshkua dhe me gjoba dhe me kufizime në shpenzime të merkatos. Klubi parizien diti të rigjenerohet, duke ristrukturuar grupin e sponsorëve falë ekspansionit të shikueshmërisë së markës në nivel ndërkombëtar.

Mbërritja e Messi-t, sipas vlerësimeve të para, duhet të rrisë me afërisht 20% përqind të ardhurat nga marketingu. Mjaftueshëm për të qëndruar brenda kufijve të fair play-t financiar që gjithsesi tani është më fleksibël, pasi ju jep klubeve më shumë kohë për të përcaktuar dhe shpjeguar humbjet e paparashikuara nga të ardhurat, dhe për të patur më tepër kohë për të rikuperuar efektet negative të pandemisë. PSG gjithsesi duhet të planifikojë një seri shitjesh për të kufizuar humbjet që vlerësohen në 200 milionë euro, sipas buxhetit të depozituar në ligën franceze. Në klubin parizien shpresojnë të shesin duke arkëtuar të paktën 150 milionë euro. Mbappe konsiderohet i pashitshëm. I pari në listë në këtë mënyrë është Icardi, që nuk bën pjesë në listën e miqve të Messit.

Top Channel