Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka folur për situatën e zjarreve në Vlorë gjatë natës duke thënë se nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.
Leli foli dhe për zjarrin që rrezikoi bazën e Pashalimanit gjatë natës duke thënë se u desh një luftë me flakët e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve deri në orët e para të mëngjesit për të shmangur rrezikun që vinte nga mali Dukat.
Ndër të tjera, Leli kërkoi që të vendosen sanksione ligjore për zjarrvënie të qëllimshme dhe të mos jepen më për kullota këto hapësira që janë dëmtuar nga zjarri. Teksa kujtoi situatën e vitit 2016, kryebashkiaku i Vlorës tha se problematika nuk mbaron me shuarjen e flakëve pasi gjatë shirave të parë, shpatet do të sjellin gurët dhe mbeturinat që vijnë në zonat e banuara.
Dritan Leli: Pavarësisht se rreth orës 8 ishte vënë nën kontroll zjarri pranë bazës së Pashalimanit, gjatë mesnatës ka pasur njoftim për rritje të intensitetit të zjarreve që kanë rrezikuar forcat e ushtrisë, gjithë forcat zjarrfikëse në varësi të bashkisë së Vlorës kanë qenë aty deri në orët e para të mëngjesit për të vënë flakët nën kontroll dhe për fat, u arrit që të mbahet nën kontroll kjo vatër që mund të shkaktonte dëm të konsiderueshëm.
Unë nuk shikoj rrezik për zonat e banuara. Dje ka qenë përpjekje e madhe e të gjitha forcave për Dukat-Fushën, ku zjarri është afruar pranë banesave, kurse sot nuk ka rrezikshmëri për banesat. Siç duket në kamera, në këtë moment një helikopter po hedh ujë në pikën e fundit të vatrës së zjarrit që ka mbetur afër fshatit Dukatit ndërsa në majën e Llogarasë ka më tepër vatra sporadike të shpërndara disa vatra zjarri. Një helikopter po vijon punën në anën tjetër të Llogarasë së bashku me forcat mbështetëse të ushtrisë që janë gjatë gjithë kohës në terren.
Të gjitha forcat e ushtrisë kanë mbrojtur këto pasuri që në fund fare dëmtohen nga dora e njeriut. Shikoj që zjarrvënia e qëllimshme është shkaku i kësaj situate jo vetëm në Karaburun. Ajo që na takon është të rrisim sensibilitetin qytetar për të njoftuar për çdokënd që bën vepër të qëllimshme për vënien e zjarreve. Dje ka pasur një tjetër vatër zjarri në zonat e banuara, afër shkollës tregtare që ishte nga një pikë grumbullimi plehrash.
Një pikë e vogël nesër mund të përfshijë një territor të tërë. Pra duhet të jemi të kujdesshëm. Temperatura shkaktojnë një situatë të favorshme. Fenomenet e zjarreve në zonën e Llogarasë, Dukatit, Tragjasit kanë qenë fenomene të shpeshta dhe kryesisht të vënë nga blegtorët. Jemi përballur me këto situata dhe ka qenë një nga kërkesat që kemi pasur që në fillim që unë mendoj që është koha të përballemi me konsekuenca ligjore më të forta për ata që vënë zjarrvënie të qëllimshme. Cdokush që hedh cigare në rrugë apo bën akt për zjarrvënie të qëllimshme duhet të përballet me ligjin, duhen vendosur sanksione ligjore që të mos jepen më për kullota këto hapësira që janë dëmtuar nga zjarri.
Eksperienca më ka treguar në vitin 2016 kur kemi pasur një djegie të ngjashme në parkun e Llogarasë, gjatë shirave të parë, gurët e malit përfunduan në rrugë, bllokuan aksin nacional dhe problematikat do të jenë të vazhdueshme, nuk mbaron me fikjen e zjarrit. Të gjithë këto shpate do të sjellin gurët dhe mbeturinat që vijnë në zonat e banuara.
Top Channel