Nxjerrja nga kampi Roj në Siri i 14 fëmijëve shqiptarë dhe 5 grave ishte një operacion i komplikuar për sa i përket jo vetëm marrjes së ‘OK’ nga pala kurde, por edhe asaj logjistike të transportit.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu që ishte në Liban thotë se fillimisht Marc Ghorayeb, këshilltar jo rezident i kryeministrit Edi Rama në Lindjen e Mesme bashkë me Drejtorin e Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano dhe kolegut të tij Indrit Doda mbërritën nga Bejruti në aeroportin e Qamishli ku është firmosur marrëveshja e pranimit në Shqipëri me autoritetet kurde të Sirisë Verilindore.

Këto janë fotot ekskluzive që publikon Top Channel të përfaqësuesve të shtetit shqiptarë në Qamishli.

Ndryshe nga operacioni Tetorit kur Ghorayeb, Nano dhe Doda i nxorën vetë nga kampi një grua shqiptare me 4 fëmijë, të 19 shqiptarët e operacionit të tretë u sollën nga kampi Roj në zyrat e autoritetit të qeverisjes vendore kurde.

Në kushtet kur Siria nuk i njeh këto autoritete është dashur një ndërhyrje diplomatike në mënyrë që dalja nga Siria të ishte e sigurtë.

Prandaj avioni charter i paguar nga qeveria shqiptare për këtë mision humanitar udhëtoi nga Qamishli për në Damaskaj për të vijuar udhëtimin drejt Libanit.

Sikurse edhe në dy operacionet e para pa ndihmën e kreut të sigurisë kombëtare të Libanint Gjeneral, Abas Ibrahim kjo nuk do të ishte e mundur.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në aeroportin e Libanit Gjenerali Ibrahim tha: “Jam shumë krenar për çfarë kemi bërë për të ndihmuar miqtë tanë shqiptarë. Sikurse jam krenar që Libani luan rolin e vet. E gjitha kjo është një dhuratë për mikun tim kryeministrin Edi Rama sot në ditën e përvjetorit të humbjes së nënës së tij. Oficerët e mi kanë punuar shumë për këtë. Vështirësitë që u ndeshëm ishin të mëdha sidomos kur dërgova në Siri oficerët e mi të punonin atje në zonën kurde, shumë të rrezikshme. Ne luajtëm rolin tonë për të shpëtuar njerëz”.

FOTO GALERI
1/26

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA