I katërti në “Tokyo 2020″/ Briken Calja humbi medaljen e bronztë për 1 kg, por është sportisti më i mirë në histori

28/07/2021 19:22

Vendi i katërt në Olimpiadë i Briken Caljes e bën atë sportistin më të mirë të hitorisë së sportit shqiptar edhe pse nuk e arriti dot atë medalje të ëndërruar vetëm për 1 kg. Në një intervistë për Top Channel menjëherë pas gare, Calja tregon më tepër.

Briken Calja: 1 kg më tepër do të thotë shumë pasi garohet për medalje olimpike, por ky është sporti, ka të papritura. Në stilin tim më të fortë që është shkëputja “dështova” por gjithsesi në stilin e shkëputjes u riktheva fuqishëm me 190 kg duke vendosur një rezultat historik për Shqipërinë.

Kanë qenë me qindra urimet për të pas kësaj gare.

Briken Calja: Sigurisht që mesazhin e parë ja hapa familjes sime, dhe dua ta falënderoj shumë atë për suportin ndaj meje, janë mbështetësit më të mëdhenj. Kam kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore në shtëpi. Për këtë do doja të falënderoja mjekët e Onkologjikut, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me nënën time i falënderoj në mënyrë të veçantë.

Në të vetmin fushë që politikanët shqiptar kanë konsensus të plotë është rezultati i sportit në arenën ndërkombëtare, por kaq nuk mjafton për peshëngritësin Shtërmenas, ndërkohë që shqiptarët e kosovës sot i gëzohen medaljeve.

Briken Calja: Kosova ka marrë dy medalje por ata kanë 12 milion euro buxhet për t’u përgatitur ndërsa ne kishim një buxhet modest diku tek 1 milion e 2-300 mijë dollarë. Uroj që kjo të jetë një pikë kthese që qeveria shqiptare, ky është moment që të bëj diçka më shumë.

Elez Gjoza: Ky rezultat ka ardhur si pasojë e një punë këmbëngulëse, serioze, me vullnet dhe disiplinë nga sportisti më i mirë në Shqipëri

Briken Calja: Unë i bëj një apel qeveritë shqiptare, sporti nuk është sezonal, ai kërkon mbështetje të përvitshme.

Ndërkohë që nëna mbetet pika më e dobët për Caljen, këtë rezultat ai ja dedikon pjesëtarit më të ri të familjes.

Briken Calja: Padyshim që për ne djemtë mamat janë pikat e dobëta, por unë së fundmi jam shtuar me djalë dhe ja dedikoj atij këtë rezultat dhe bashkëshortes sime.

Top Channel