Një 30-vjeçar është ndaluar nga policia e Korçës pasi akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ai ishte shpallur në kërkim dhe u ndalua në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e policisë në PKK Port Durrës dhe strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim J. D., 30 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.
Gjykata e Apelit Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të lartpërmendura, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.09.2020, ku 30-vjeçari u konstatua duke transportuar me një automjet, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Top Channel