Plazh i bukur, shërbim i mirë dhe çmime të ulëta, por plehrat në kazanët e tejmbushur të Golemit i kanë prishur atmosferën pushuesve.
Një pushues nga Kosova, që vjen për herë të parë në plazhin e Golemit shprehet se për shkak të erës së fortë të plehrave nëpër rrugë ai nuk ka pasur mundësi as të shëtisë:
“Papastërtia është pak problem. Në qytet aty tek koshat plehrat duhet të pastrohen më shpesh. Unë dua dhe të dal për shëtitje të gjata pasditeve, po nuk mundem prej erës së rëndë”.
“Në hyrje të plazhit duhen pastruar plehrat, sepse vjen erë me rëndë. Për atë punë ka shumë teknika. Atje në Belgjikë ku jetoj unë vjen makina që i pastron dhe madje hedh dezinfektues”.
Një pushuese polake gjithashtu shprehet e shqetësuar për plehrat. Është hera e katërt e saj që vjen në Shqipëri dhe këtë vit është përballur me këtë fenomen.
“Këtu çdo gjë është shumë mirë më pëlqen shumë. Edhe moti i ngrohtë, çmimet e mira, ushqimi dhe njerëzit gjithashtu. Në fakt diçka që nuk më ka pëlqyer janë plehrat në hyrje të qytetit. Vijnë erë e rëndë. Duhen pastruar, sepse në Poloni nuk ka plehra”.
Top Channel ka raportuar se si në bashkinë Kavajë, pjesë e së cilës është plazhi i Golemit, plehrat hidhen në landfille ilegale dhe më pas digjen duke ndotur ambientin dhe rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Shërbimi i pastrimit nuk funksionon prej javësh, gjë e cila ka ngritur pikëpyetje të shumta për kompaninë që ka kontraktuar bashkia dhe që merr miliona lekë nga buxheti i saj.
Top Channel