Koronavirusi kërcënon Olimpiadën, me dhjetëra sportistë në karantinë

18/07/2021 19:02

Olimpiada e Tokios nuk ka filluar akoma, megjithatë në Fshatin Olimpik të krijuar enkas në kryeqytetin japonez po shtohen nga dita në ditë rastet pozitive me virusin Covid – 19.

12 muaj më herët Lojërat e 32-ta Olimpike u shtynë me një vit, pikërisht për arsye të pandemisë së Koronavirusit, sidoqoftë gjendja vazhdon të jetë problematike në kryeqytetin nipon, pas kontrolleve të shumta që janë duke kryer sportistët pjesëmarrës.

Kështu pas izolimit të gjithë skuadrës së atletikës së përfaqësueses australiane, pas rezultimit pozitiv të njërit prej pjesëtarëve të stafit, radhën në “mbretëreshën e sporteve” e pati ekipi britanik. Në këtë mënyrë u karantinuan pa humbur kohë gjithashtu edhe dy pjesëtarë të stafit dhe gjashtë atletë të skuadrës britanike të atletikës, pas rezultimit pozitiv të njërit prej personave të ngushtë të kontaktit gjatë fluturimit për në Japoni.

Sikur të mos mjaftonin lajme të tilla situata u përshkallëzua akoma më shumë me zhvillimet e tjera problematike, pak a shumë të po së njëjtës natyrë. Tegla Loroupe, që mban ende rekordet botërore të garave të thellësisë në 25 dhe 30 kilometra udhëheq delegacionin e skuadrës së refugjatëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, megjithatë me sa kuptohet 48-vjeçarja keniane është infektuar që pa u nisur për në Tokyo, pra që në Qendërn Stërvitore me bazë në Katar, më saktë në Doha. Gjithë skuadra e regbisë me shtatë lojtarë e Afrikës së Jugut është izoluar, pas njoftimit se një pasagjer rezultoi i prekur nga virusi Covid – 19 gjatë udhëtimit për në vendin e “lindjes së diellit”.

Janë plot 14 lojtarë, si dhe katër pjestarë të tjetë të stafit drejtues që i janë nënshtruar regjimit të fortë të karantinës, në një strukturë të ndërtuar enkas për raste të tilla, të pozicionuar afërsisht gjysmë ore larg fshatit olimpik.

Për hir të së vërtetës pas testeve të kryera asnjë nga këta 18 persona nuk ka rezultuar pozitivë, gjithsesi këto janë masat e marra dhe protokolli i përcaktuar që më herët nga të gjitha palët për një përballim sa më të efektshëm të situatës siç dihet është tepër strikt, në këtë aspekt.

Vetë organizatorët deklaruan se janë 10 persona që kanë rezultuar pozitivë pas analizave të kryera përgjatë ditës së dielë, që kanë lidhje me Olimpiadën e Tokios, pra bëhet fjalë për sportistë, trajnerë apo qoftë edhe pjestarë të tjerë të stafit.

Dy lojtarë të Afrikës së Jugut, Thabiso Monyane dhe Kamohelo Mahlatsi u bënë dy futbollistët e parë të infektuar në Lojërat Olimpike të Tokios, për më tepër një ngjarje e tillë u regjistrua vetëm pesë ditë përpara se të startojë Olimpiada e 32-të Verore. Videoanalisti i skuadrës rezultoi pozitiv që ditën e shtunë, ndërkohë e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është shtrënguar të izolohet deri në pritjen e testeve të tjera, që do të qartësojnë përfundimisht situatën e krijuar.

Në fakt, gjendja në Japoni është rënduar dhe organizatorët kanë shtuar kontrollet, për të evituar një infektim në masë të sportistëve apo dhe stafeve të skuadrave pjesëmarrëse. Në këtë mënyrë, pas të dhënave të publikuara nga vetë organizatorët numri i banorëve të prekur nga pandemia e Koronavirusit në Tokio ka shkuar me katër shifra për të katërtën ditë radhazi. /SuperSport/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA