Kategoria e Parë / Besa gjunjëzon Pogradecin dhe merr kryesimin e kampionatit, fiton edhe Bylis
Bardhezinjtë rikthejnë revistën historike “Hurrà Juventus” në një edicion të veçantë koleksionimi, ndërsa në Allianz Stadium tifozët do të kenë mundësinë të lënë mesazhet e tyre të urimit.
129 vite histori, traditë dhe pasion. Juventusi feston përvjetorin e krijimit me një mesazh të veçantë përmes kanaleve zyrtare, duke vënë në qendër rininë dhe energjinë që e shoqëron klubin italian ndër breza. “129 vite histori. Por kur jeton duke kultivuar rininë, në zemër dhe në shpirt, koha që kalon nuk është një barrë, por shndërrohet në energji të vazhdueshme, që ripërtërihet çdo ditë”, shkruan klubi bardhezi në mesazhin e tij festiv.
Për këtë përvjetor, Juventusi ka përgatitur edhe disa surpriza për tifozët që do të jenë të pranishëm në Allianz Stadium për supersfidën kundër Napolit. Në shkallët e stadiumit do të shpërndahen mbi 42 mijë kopje të një edicioni special dhe koleksionues të revistës historike “Hurrà Juventus”, duke rikthyer një prej botimeve më të njohura të klubit.
Por festimet nuk do të përfundojnë me kaq. Pranë tribunës veriore do të krijohet një hapësirë e posaçme, ku çdo tifoz do të mund të lërë një mesazh urimi, një dedikim apo një kujtim personal për klubin që feston 129-vjetorin. Një mënyrë për të bashkuar të kaluarën me të tashmen, në një ditë të veçantë për historinë e Juventusit, që do të përpiqet ta kurorëzojë festën edhe me një rezultat pozitiv përballë Napolit.
Top Channel