Shtetet e Bashkuara dhurojnë miliona vaksina për Guatemalën dhe Vietnamin

11/07/2021 07:07

Administrata Biden njoftoi të martën dërgimin e miliona vaksinave Moderna drejt Guatemalën dhe Vietnamit, pasi u zotua javën e kaluar të dhuronte 4 milionë doza për Indonezinë. Por në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara nuk e arritën objektivin e tyre për të dërguar 80 milionë doza vaksinash drejt vendeve në nevojë deri në fund të qershorit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton mbi sfidat me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar procesin e vaksinimit në botë.

Këtë javë dy vende do të marrin vaksina në formë donacioni nga Shtetet e Bashkuara tha të martën Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë. “Guatemala dhe Vietnami do të marrin dozat e vaksinave kundër COVID nga administrata Biden-Harris. Guatemala do të marrë 1.5 milionë doza të vaksinës Moderna, kurse Vietnami do të marrë 2 milionë doza të Modernës”. Ndërsa indonezianët po përgatiten për një rritje të rasteve dhe u rreshtuan për të marrë vaksinat, javën e kaluar administrata Biden i premtoi gjithashtu këtij vendi 4 milionë doza të vaksinës Moderna, që do të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur përmes programit COVAX, mekanizmi i OKB-së për ndarjen e vaksinave.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të dhurojnë 580 milionë doza vaksinash në të gjithë botën. Por nuk ka arritur të përmbushin objektivin për të dërguar 80 milionë doza deri në fund të qershorit. Zonja Psaki i tha Zërit të Amerikës se ekzistojnë sfida të mëdha. “Ndonjëherë na duhet të punojmë përmes pengesave ligjore dhe atyre rregullatore. Ka probleme që lidhen me materialet e nevojshme për shpërndarjen e këtyre vaksinave. Ka edhe çështje transporti për mbajtjen e vaksinave në temperaturat e duhura. Duke ndarë të gjitha këto doza që jemi zotuar kemi vërejtur se një pjesë e vendeve nuk janë të përgatitura t’i marrin ato”, tha zonja Psaki.

Sfida fillon me përcaktimin e vaksinës së përshtatshme. Pjesa më e madhe e rezervave që disponojnë Shtetet e Bashkuara përbëhet nga vaksinat Pfizer dhe Moderna, të cilat kërkojnë magazinim në temperatura të ulta, që jo të gjitha vendet janë të përgatitura ta sigurojnë. “Në këtë pikë, ne duhet të shohim datën e skadencës së ngarkesës që po dërgojmë. Duhet të dijmë nëse në atë vend ka regullore për atë vaksinë të caktuar. Dhe ky është vetëm fillimi; më pas duhet të sigurohemi që vaksinat transportohen në temperaturën e duhur deri sa të mbërrijnë në destinacion, që infermierët janë gati dhe të trajnuar të administrojnë vaksinat dhe të fillojnë punën”, thotë Krishna Udayakumar e qendrës Duke Global Health Innovation.

Vendet gjithashtu duhet të koordinojnë vaksinat e ndryshme që po marrin nga burime të tjera, përfshirë COVAX-in, Kinën dhe Rusinë, gjë që kërkon shumë planifikim dhe menaxhim të ndërlikuar në zinxhirin e furnizimit. “Nuk duhet të na befasojë që transportimi i vaksinave është i ndërlikuar nga perspektiva e logjistikës. Dhe ne jemi prapa. Duhet të kishim punuar për këtë gjashtë muaj më parë”, thotë Krishna Udayakumar e qendrës Duke Global Health Innovation.

Ekziston edhe fakti që shumica e dozave të vaksinave thjesht u shkon vendeve të pasura. “Deri në fund të kësaj jave, do të kemi 160 milionë amerikanë të vaksinuar plotësisht”, tha Presidenti Biden. “Ne e kemi bllokuar në Shtetet e Bashkuara, në vendet e G-7ës e vende të tjera të BE-së, furnizimin global të atyre që mund t’i japin fund kësaj pandemie. Dhe deri tani nuk kemi ndarë me ritmin ose shkallën që duhet për të arritur imunitetin global të turmës që do të na bëjë të gjithëve të sigurt”, thotë Tom Hart me organizatën One Campaign. Deri tani, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar vetëm rreth gjysmën e 80 milionë dozave që synonin të shpërndanin deri në fund të qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA