Kënga napoletane dhe magjia e saj tërhoqën vëmendjen e artdashësve përgjatë dy netëve të kësaj jave në qytetin e Durrësit.
Me një repertor të pasur dhe të trashëguar në kohë, grupi muzikor “Il Calimma” përfshiu dhe Shqipërinë në agjendën e koncerteve të veta nëpër botë për njohjen e muzikës dhe gjuhës napoletane, si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Raffaele Cardone, artist: “Sjellim këngën napoletane me shumë pasion në të gjithë botën. Kemi qenë në shumë vende të tjera dhe për të ardhur në
Shqipëri asgjë nuk mund të na ndalonte, as Covidi. S’mund të prisnim më, sepse e duam Shqipërinë.”
Giuseppe Palumbo u zhvendos nga Napoli në Durrës bashkë me të shoqen, këngëtaren Julieta Strefi, po lidhjet me vendlindjen i mban të forta duke organizuar dhe aktivitete artistike që bëjnë bashkë artistë të dy vendeve dhe ndezin atmosferën si natën e kaluar në arenën e Amfiteatrit Antik.
Julieta Strefi, organizatore dhe këngëtare: “Në Napoli, ky vit festohet, sepse është 100 vjetori i Sergio Brunit dhe menduam ta sjellim festën edhe në Shqipëri.”
Si pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen dhe në Itali për nder të 100-vjetorit të lindjes së një prej emrave më të mëdhenj të muzikës napoletane Sergio Bruni, koncerti u ndoq edhe nga shtetas italianë, që jetojnë në vendin tonë.
Top Channel