Inflacioni i është rikthyer trendit negativ në muajin qershor. Duke u fiksuar në nivelin 1.6% ai vjen në ulje në krahasim me një muaj më parë.
Këtë muaj grupet që ndikuan negativisht në uljen e inflacionit ishin ushqimet, ndjekur nga grupi i veshjeve dhe këpucëve, ndërsa hapja e shfaqjeve artistike ka ngritur çmimet në grupin e argëtimit dhe kulturës, si dhe konsumi i alkoolit.
Kjo prirje negative tregon se niveli i konsumit në vendin tonë vazhdon të mbetet i ulët dhe qytetarët po shpenzojnë vetëm për gjërat bazike, kjo edhe për faktin se ndryshimin më të madh vjetor e ka pikërisht grupi i ushqimeve dhe sidomos i zarzavateve.
Ky ritëm i ulët inflacioni tregon se rritja ekonomike prej 5.5% në tremujorin e parë të këtij viti, nuk është reflektuar te qytetarët, të cilët ende po kursehen për të shpenzuar.
Kjo mund të vijë edhe për faktin se niveli i pagave në vendin tonë ka qëndruar pothuajse në nivele të njëjta gjatë këtyre viteve të fundit, ndërsa rritja e pagës minimale nga qeveria nuk po jep frytet e duhura.
Qershori si muaj i parë i sezonit veror, ku pritshmëritë ishin të mëdha për shpenzimet e qytetarëve, nuk ka kaluar as ritmin e vitit të kaluar dhe kjo ndikon drejtpërdrejt tek bizneset, që kanë më pak xhiro në aktivitetet e tyre.
Guvernatori i Bankës Qëndrore në përditësimin ka theksuar se objektivi i ekonomisë tonë është që inflacioni të arrijë në nivelin 3%, por kjo duket larg këtij viti dhe shpresat janë për të arritur në këto ritme gjatë vitit 2022.
Top Channel