“Euro 2020” mëson sot finalisten e parë/ Në Wembley luhet Itali-Spanjë

06/07/2021 13:45

Kampionati evropian i futbollit ka hyrë në javën më të rëndësishme, javë që do të përcaktojë natyrisht edhe skuadrën përfaqësuese që do të kurorëzohet me trofeun Henry Delanuay, në edicionin e 16-të të këtij aktiviteti.

Ditët e pushimit kaluan sërish shpejt dhe provimin e parë në katër kombëtaret më të mira e kanë dy vende si Italia dhe Spanja, që do të masin forcat në gjysmëfinalen e parë të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh. Ecuria e tyre ka qenë tepër e ndryshme, megjithatë si Italia ashtu edhe Spanja rikthehen për herë të parë pas plot nëntë vjetësh, për të luajtur një gjysmëfinale në aktivitetet madhore, pra evropian plus botëror. Ishte viti 2012 dhe evropiani i mbajtur në Poloni e Ukrainë kur këto dy vende u përballën dy herë ndërmjet tyre, pra si në fazën e grupeve ashtu edhe në finalen e madhe të Kievit.

Fillimisht “axurrët” e Cesare Prandelli-t barazuan 1-1 në Gdansk, ndërsa në takimin përmbyllës në Stadiumin Olimpiyskiy italianët preferuan të zbresin në fushë me Giorgio Chiellini-n nga minuta e parë, pavarësisht problemeve fizike që kishte qendërmbrojtësi i mirënjohur i Juventusit. Historia dihet “Chiello” u dëmtua herët dhe u shtrëngua për të lënë para kohe tapetin e blertë, ndërsa në fushë pas golit të shpejtë të realizuar nga David Silva ndeshja nuk pati më aspak histori. “La furia roja” fitoi në fund me shifrat 4-0 dhe kjo arritje përfaqëson gjithashtu edhe triumfin e fundit të Spanjës në një kompeticion madhor. Italia dhe Spanja janë karakterizuar nga një rivalitet i ashpër ndër vite në përballjet ndërmjet tyre dhe pavarësisht bilancit shumë të mirë që kanë “axurrët” në historinë e sfidave kompetitive mes tyre gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm nga viti 2.000 e këtej.

Kështu në shekullin e ri në 13 përballjet ndërmjet tyre në të gjithë aktivitetet italianët ia kanë dalë për të fituar vetëm 2 nga këto takime, bëhet fjalë për një sukses në një ndeshje miqësore në vitin 2011 në San Nicola të Barit si dhe triumfin e evropianit të kaluar, në fazën e 1/8 në Paris në Stade de France, ku Italia e Antonio Conte-s e mposhti “La Roja”-n e Vicente del Bosque-s 2-0 falë golave të realizuar nga Giorgio Chiellini dhe Graziano Pelle. Spanja në anën tjetër mori hak shpejt dhe i dha një të shtyrë të fortë Italisë pikërisht në eliminatoret e botërorit rus, duke i shtrënguar “axurrët” për të rrëshqitur në vendin e dytë, e më pas sic dihet skuadra e Gian Piero Ventura-s u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 1-0 nga Suedia në play off dhe për pasojë italianët e panë përfaqësuesen e tyre për herë të parë jashtë fazës finale të një Kupe Bote pas plot gjashtë dekadave. Ndonëse trendi i sfidave ndërmjet tyre tani ka filluar të anojë nga Spanja për hir të së vërtetës dy ekipet janë paraqitur krejt ndryshe nga c’pritej. Dy skuadrat përfaqësuese kanë ndërruar rolet, megjithëse “La Roja” gjithsesi vazhdon të mbetet besnike e kontrollit të lojës dhe zotërimit të topit.

Ka qenë viti 1988 kur Italia është thyer për herë të fundit në fazën gjysmëfinale të një evropiani dhe për t’u kthyer sadopak në kohë “axurrët” e Azeglio Vicini-t u mundën 2-0 në Shtutgart nga Bashkimi Sovjetik, që asokohe drejtohej nga i madhi Valeriy Lobanovskyi. Në atë takim Roberto Mancini u zëvendësua që në interval nga Alessandro Altobelli dhe italianët pësuan dy gola në harkun e pak minutave nga Lytovchenko dhe Protasov, për të zhgënjyer pa masë gjithë përkrahësit e tyre.

Ishte një Itali e madhe me lojtarë si Zenga, Baresi, Bergomi, Ferri, Maldini, Ancelotti, De Napoli, Giannini, Donadoni dhe dyshen Vialli–Mancini përpara, ndërsa tani “axurrët” nuk kanë yje dhe skuadra është shumë e bashkua dhe luan në bllok. Italia mbërriti në këtë evropian pa shumë pretendime, por ekipi është shfaqur jashtëzakonisht mirë duke konfirmuar një stabilitet dhe harmoni që është vërtet për t’u patur zili.

Skuadra e Roberto Mancini-t ka rreshtuar plot 32 ndeshje pa provuar shijen e humbjes dhe disfatën e fundit ekipi e ka pësuar në Ligën e Kombeve në shtatorin e vitit 2018, në “da Luz” të Lisbonës nga Portugalia, që ishte kampionia në fuqi e Evropës dhe fitoi gjithashtu edhe edicionin hapës të UEFA Nations League. Edicionin e dytë të atij aktiviteti italianët do ta organizojnë vetë tre muaj më vonë në Milano dhe Torino, nga data 6 deri më 10 tetor, megjithatë më parë “axurrët” kërkojnë lavdinë pikërisht në kampionatin evropian, në një kompeticion ku kanë triumfuar thjesht një herë të vetme në gjithë historinë e tyre. Bëhet fjalë për vitin e largët 1968 dhe aktivitetin që organizuan në shtëpi, ku mposhtën Jugosllavinë 2-0 në sfidën e dytë ndërmjet tyre në Stadio Olimpico, falë golave të dyshes Riva – Anastasi. Duket tepër e cuditshme që Italia 4 herë kampione e botës ia ka dalë vetëm një herë në Kontinentin e Vjetër. Në vitin 2.000 “axurrët” ishin vërtet shumë shumë pranë, por një top i humbur në sulm nga Francesco Totti i dha mundësinë Francës për të barazuar në 94’, ndërsa më pas David Trezeguet në shtesën e parë theu zemrat e italianëve për të kurorëzuar blutë me trofeun e dytë kontinental, raporton SuperSport.

Deri tani Italia e Roberto Mancini-t ka hasur vështirësi vetëm ndaj Austrisë dhe bardhekuqtë e Franco Foda-s përvecse i shtrënguan “axurrët” për të shkuar në kohën shtesë i dhanë fund edhe ecurisë fenomenale me plot 11 takime në të gjithë kompeticionet pa pësuar. Italia pozicionohet në vendin e 7, pra thjesht një vend poshtë Spanjës në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, sidoqoftë në fazën e 1/8 ekipi i Mancini-t mundi pikërisht përfaqësuesen e Belgjikës, që bashkë me Francën konsiderohej si skuadër favorite, pa harruar gjithashtu faktin që “djajtë e kuq” kryesojnë renditjen, duke qenë prej vitesh në catinë e botës. Përbvallë qëndron Spanja e Luis Enrique-s, që ka mbërritur deri këtu plot luhatje. Spanja ka fituar vetëm 1 nga 5 sfidat e këtij evropiani brenda 90’.

Portugalia triumfoi pesë vjet më herët në Francë me thjesht një fitore të tillë në shtatë ndeshje, megjithatë vështirë se rrufeja godet dy herë radhazi në po të njëjtën mënyrë. Trajneri asturian është besnik i parimeve të tij, por “La Roja” është shfaqur e ngadaltë, e lexueshme dhe tepër e paqëndrueshme në lojë. Spanja përfaqëson ekipin që ka shënuar më tepër gola në këtë edicion, por sulmuesit shpërdorojnë shumë, ndërsa mbrojtja përveçse shumë e ekspozuar me këtë mënyrë loje është gjithashtu edhe tepër e brishtë. Kjo mënyrë loje, duke vertikalizuar më pak se sa vitet e arta të futbollit spanjoll dhe shumë e parashikueshme tani është mësuar nga të gjithë, për më tepër Italia shfaqet ndryshe dhe shumë më e drejtpërdrejtë në manovrën e saj.

Çelësi i ndeshjes me shumë gjasa do të jetë presingu i lartë dhe loja e shpejtë e italianëve, ndaj zotërimit të topit dhe kontrollimit të lojës që do të mundohen të imponojnë spanjollët, sipas mënyrës së tyre. Në lojë nga viti 2012 ka mbetur vetëm cifti Chiellini – Bonucci te Italia dhe dyshja Jordi Alba–Sergio Busquets te Spanja, lojtarë që me të drejtë mbajnë edhe spaletat përkatëse të kapitenit dhe zëvendës kapitenit te përfaqësueset respektive. Mancini ka humbur Leonardo Spinazzola-n, që konsiderohej edhe si mbrojtësi i majtë më i mirë i kampionatit, ndërsa te “la furia roja” në dyshim mbetet Pablo Sarabia. Italia kryeson 4-1 në 10 sfidat kompetitive ndërmjet këtyre dy vendeve, ndërkaq duke shtuar edhe ndeshjet miqësore statistikat janë krejtësisht të barabarta me nga 11 fitore dhe 15 barazime në 37 takimet ndërmjet tyre. Gjysmafinalja e parë e këtij evropiani Itali – Spanjë siç dihet do të luhet në Ëembley në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych./ SuperSport

Top Channel