“Shkodra Open 2026”, turneu ndërkombëtar i Tenisit mbledh 130 tenistë nga 30 shtete

23/04/2026 15:30

“Shkodra Open 2026”, turneu botëror i tenisit ITF, ka bashkuar në qytetin e Shkodrës 130 sportistë nga 30 shtete të ndryshme të botës për grupmoshën U18.

Për 5 ditë me radhë, të rinjtë e talentuar do të sfidojnë njëri-tjetrin deri në finalen e madhe të së shtunës, ku do të shpallen edhe kampionët.

“Vij nga Moldavia dhe është shumë bukur këtu. Fushat janë shumë të mira dhe ambienti është i këndshëm. Ka shumë fusha për padel, një sport që më pëlqen shumë. Gjithçka është e organizuar mirë, edhe fushat me dhe të kuq, edhe ato indor”, shprehet shtetasi moldav.

“Unë jam nga Turqia, quhem Ives, jam 16 vjeç dhe kjo është hera ime e tretë në Shqipëri, në Shkodër. Përveç vendit që është i bukur, ka edhe shumë garë dhe rivalitet. Turneu është vërtet i këndshëm. Më ka pëlqyer mikpritja, fushat, gjithçka…”, thotë sportistja nga Turqia.

Për organizatorët, këto evente rrisin jo vetëm cilësinë e këtij sporti në vendin tonë, por ndikojnë edhe në turizmin sportiv në Shkodër.

Vitet e fundit, me mbështetjen e Federatës Botërore të Tenisit, Shkodra është kthyer në organizatore dhe pritëse e turneve ndërkombëtare të tenisit.

Top Channel