FIFA nuk ka asnjë plan për të zëvendësuar Iranin me Italinë në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë, pavarësisht një propozimi të bërë nga i dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë organizmit qeverisës të futbollit botëror, ndërsa situata mbetet e tensionuar për shkak të luftës së vazhdueshme mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.

Propozimi erdhi nga Paolo Zampolli, i cili në një intervistë për Financial Times konfirmoi se kishte sugjeruar që Italia të zëvendësonte Iranin në turne. “Jam italian dhe do të ishte një ëndërr të shihja ‘Azzurrët’ në një Botëror të zhvilluar në SHBA. Me katër tituj, ata kanë historinë për të justifikuar përfshirjen,” u shpreh ai.

Megjithatë, FIFA nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtij sugjerimi, por ka rikujtuar deklaratën e presidentit Gianni Infantino, i cili vetëm pak ditë më parë theksoi qartë: “Kombëtarja iraniane do të vijë, pa asnjë dyshim.”

Reagimi nga pala iraniane ka qenë i ashpër. Ambasada e Iranit e cilësoi idenë si një shenjë të “falimentimit moral” të Shteteve të Bashkuara. “Italia e ka fituar madhështinë e saj në fushë, jo falë privilegjeve politike. Përpjekja për të përjashtuar Iranin tregon frikën edhe ndaj pranisë së 11 lojtarëve të rinj iranianë në fushë,” thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin X.

Sipas Financial Times, ideja e Zampollit synonte gjithashtu të përmirësonte marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Italisë, pas kritikave të kryeministres Giorgia Meloni ndaj Trump për komentet e tij ndaj Papa Leoni i XIV.

Ndërkohë, vetë Italia nuk e mbështet këtë skenar. Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, e quajti propozimin “të turpshëm”, ndërsa ministri i Sportit Andrea Abodi deklaroi: “Së pari, nuk është e mundur; së dyti, nuk është e përshtatshme. Kualifikimi fitohet në fushë.” Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Luciano Buonfiglio, u shpreh kundër, duke theksuar se “Botërori fitohet me meritë”.

Italia, katër herë kampione bote, ka dështuar të kualifikohet për herë të tretë radhazi, pasi u eliminua në “play-off” nga Bosnja dhe Hercegovina muajin e kaluar.

Nga ana tjetër, Irani është i planifikuar të luajë ndeshjet e fazës në grupe ndaj Zelandës së Re dhe Belgjikës në Los Angeles më 15 dhe 21 qershor, si dhe kundër Egjiptit në Seattle më 26 qershor. Turneu nis më 11 qershor dhe organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika.

Sipas rregulloreve të FIFA-s, institucioni ka diskrecion të plotë për të vendosur në rast të tërheqjes apo përjashtimit të një skuadre, por deri më tani nuk ka asnjë sinjal për një skenar të tillë. Vetë Infantino ka theksuar se sporti duhet të qëndrojë jashtë politikës dhe se Irani “e ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e Botërorit”.

Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se janë “plotësisht të përgatitura” për të marrë pjesë në turne, pavarësisht shqetësimeve të mëparshme për sigurinë.

Top Channel