Priten vizitat mjekësore, Lamine Yamal dhe Joao Cancelo mbërrijnë në qendrën mjekësore të Barcelonës
Lamine Yamal i ka shqetësuar të gjithë pas dëmtimit të djeshëm në minutën e 40-të ndaj Celta Vigos, pasi kishte fituar një penallti dhe e kishte shndërruar po vetë në gol.
Raportimet e para janë se ai ka pësuar një tërheqje muskulore dhe do të mungojë rreth një muaj, teksa testet e sotme do të shuajnë të gjitha dyshimet mbi prezencën e tij në pjesën e mbetur të La Ligës dhe më kryesorja në Botëror.
Duke folur për radion Cadena SER , specialisti i mjekësisë sportive Pedro Luis Ripoll tregoi se muskujt e kofshës së pasme, ku Yamal është dëmtuar, janë shpesh një zonë e komplikuar.
“Ky dëmtim ka një shkallë përsëritjeje prej 30%, kështu që duhet të jeni shumë të kujdesshëm. Duhet të jeni jashtëzakonisht të kujdesshëm me afatin kohor të rikuperimit.
Nëse dëmtimi ndodhet në ‘barkun’ e muskulit, dëmtimi mund të jetë më serioz, çka do të thotë të paktën katër deri në gjashtë javë mungesë.

Pedro Luis Ripoll
Është shumë e parakohshme të thuhet në këtë pikë nëse duket më shumë si një këputje apo një tendosje. Sidoqoftë, trajnerë si Luis de la Fuente duan që lojtarët e tyre të jenë të shëndetshëm dhe në formë të mirë. Mendoj se është e pamundur që ai të thirret, sepse shkalla e rikthimit është 30% dhe kjo do të thoshte humbjen e një lojtari për Kupën e Botës”, shpjegoi ai.
Me 50 ditë deri në Kupën e Botës, mbetet për t’u parë se si do të përparojë dëmtimi. Specialisti kërkoi “kujdes maksimal” derisa të jetë i disponueshëm raporti zyrtar mjekësor për lojtarin.
Top Channel