Mashtrimi më i madh financiar i 2021-it. Pesë miliardë lekë kriptomonedha “zhduken” nga dy vëllezërit

23/06/2021 20:02

Dy vëllezër afrikanë janë zhdukur së bashku me kriptomonedhat e tyre Bitcoin me vlerë 3.6 bilion dollarëve apo rreth 5 miliardë lekë.

Vëllezërit nuk gjenden dhe çështja i ka kaluar njësisë speciale të policisë Afrikano-Jugore “Hawks”, që ka filluar kërkimin e tyre.

Teksa çmimi i Bitcoin u rrit, zhdukja e më shumë se 69 mijë monedhave me vlerë mbi 4 bilion dollarë në pikun e çmimit gjatë muajit prill përfaqëson mashtrimin më të madh në botën e kriptomonedhave deri më tani. Incidenti mund të nxisë ligjvënësit të rregullojnë më fort tregun teksa rastet e

mashtrimit po vijnë në rritje.
Sinjalet e para të rrezikut erdhën në Prill teksa Bitcoin po arrinte çmime rekord. CEO i Africrypt, Ameer Cajee, informoi klientët se kompania ishte bërë pjesë e një sulmi kibernetik. Ai u kërkoi klientëve të mos raportonin te institucionet apo avokatët, sepse do të ngadalësonte procesin e rikuperimit të fondeve të humbura.

Mirëpo disa investitorë duke u treguar skeptik ngritën akuza ligjore, që çuan në një investigim mbi firmën dhe ku u zbulua se fondet e klientëve si dhe kriptomonedhat ishin transferuar nëpërmjet kanaleve të ndryshme duke i bërë ato të pagjurmueshme.

Ngjarja po zbulohet e plotë pas rënies edhe të një tjetër platforme që tregtonte Bitcoin, Mirror Trading International. Humbjet atje përfshinin 23 mijë monedha me vlerë 1.2 bilion dollarë dhe ishte mashtrimi më i madh i 2020-ës.

Kina gjithashtu ka urdhëruar ndalimin e të gjitha operacioneve me Bitcoin si dhe të personave që bëjnë “mining”, që janë të rëndësishëm për verifikimin e transaksioneve dhe prodhimin e monedhave të reja.

Çmimi i Bitcoin ka shkuar poshtë 30 mijë dollarë dhe është një nga nivelet më të ulëta që prej muajit mars të 2020-ës, duke fshirë nga tregu biliona dollarë. (Bloomberg)

Top Channel