‘Ose vaksinën, ose burgun’/ Presidenti filipinas ‘kërcënon’ personat që nuk vaksinohen!

22/06/2021 12:45

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka kërcënuar se do t’i burgosë personat të cilët nuk pranojnë të vaksinohen kundër koronavirusit.

“Ju zgjidhni, vaksinohuni ose do t’ju burgos”, tha Duterte, pas raporteve për pjesëmarrje të ulët të njerëzve në disa qendra vaksinimi në kryeqytetin Manila.

Komentet e tij bien në kundërshtim me ato të zyrtarëve shëndetësorë, të cilët i kanë inkurajuar qytetarët që të vaksinohen, por kanë thënë se imunizimi është çështje vullneti.

Autoritetet e Filipineve kanë vaksinuar deri më tani rreth 2.1 milionë njerëz.

Qeveria e këtij vendi me 110 milionë banorë ka vënë si synim vaksinimin e 70 milionë njerëzve këtë vit.

Duterte, i cili është kritikuar për qasjen e tij të ashpër për frenimin e koronavirusit, po ashtu tha se i mbetet qëndrimit të tij të mëparshëm për mos hapjen e shkollave.

Ky vend ka regjistruar mbi 1.3 milion raste të të infektuarve dhe mbi 23,000 viktima.

Top Channel