I mbijetoi dy luftrave, çfarë po e vret në shtëpi ushtarin amerikan 

22/06/2021 11:41

Nga pamja  nuk duket, por rreshteri Wesley Black është duke vdekur, dhe është vetëm 35 vjeç.

“Mund të vdes nesër, mund të jetoj dhe 6 muaj të tjerë, gjithcka varet si do të reagojë organizmi im nga kimioterapia”, shprehet ai për CNN. Black është prekur nga kanceri i zorrës që po i përhapet në të gjithë trupin.

Ai i mbijetoi betejave në Irak e Afghanistan me gardën kombëtare të Vermontit dhe ka marrë një sërë dekoratash, përfshirë një Purple Heart. Ndonëse është e vështirë në raste të tilla të bëhet një lidhje direkte mes kancerit dhe një shkaku specifik, një onkolog jashtë sistemit të Veteranëve që e ka ndjekur situatën e tij, mendon se sëmundja e Black i detyrohet mbetjeve masive të djegura nëpër fusha të mëdha të bazave amerikane.

“Ushtarët krijojnë shumë mbetje, metale, plastika, objekte elektronike, mbetje mjekësore, deri edhe uniforma- të gjitha këto hidhen në fushëgrumbullime, spërkaten me benzinë e u vihet zjarri”. Në Ramadi, ku ka shërbyer 35 vjeçari, hapësira  e grumbullimit të plehrave ishte sa disa fusha futbolli. Dhe në Afganistan, ajo ndodhej shumë pranë portës kryesore të bazës ushtarake.

“Nëse ti ishe fatkeqi që duhet të bënte roje në kohën kur digjeshin plehrat dhe era frynte drejt portës, kjo do të thotë se duhet të qëndroje përballë tymit për tetë deri në 12 orë radhazi në ditë”, shprehet ai. Me mijëra pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë thithur tym kancerogjen nga fushat e djegies së mbeturinave ashtu si Black. Kur mësoi sëmundjen që është praktikisht dënimi i tij me vdekje, 35 vjeçari sapo ishte bërë me djalë dhe po përgatitej të niste punë si zjarrfikës.

Top Channel