Euro 2020: UEFA para ndalimit të ndriçimit me ngjyrat e ylberit

22/06/2021 09:01

Këshilli bashkiak i Mynihut donte të dërgonte një mesazh në mbështetje të personave LGBT+ në Hungari. Por UEFA pritet ta refuzojë kërkesën për të ndriçuar Arenën e Mynihut me ngjyrat e ylberit.

UEFA pritet ta hedhë poshtë kërkesën e bashkiakëve të Mynihut për ta ndriçuar me ngjyrat e ylberit stadiumin e futbollit të qytetit gjatë ndeshjes së Gjermanisë kundër Hungarisë që do të zhvillohet të mërkurën.

Bashkiakët e Mynihut donin të shprehnin me këtë veprim solidaritet me komunitetin LGBT+ në Hungari, pasi qeveria hungareze miratoi javën e kaluar një ligj që ndalon shpërndarjen e informacioneve që mendohet se promovojnë homoseksualitetin ose identitetet gjinore jo binare në radhët e të miturve.

“Ky ligj përbën një përpjekje të re për heqjen e të drejtave të lezbikeve, të homoseksualëve, të biseksualëve dhe të transgjinorëve dhe Mynihu mbështet diversitetin, tolerancën dhe barazinë e mirëfilltë në sport dhe në shoqëri.” – thuhet në kërkesën e këshillit bashkiak të Mynihut drejtuar UEFA-s, e cila u mbështet nga të gjitha grupet politike të përfaqësuara në këshill.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha lidhur me idenë e këshillit bashkiak të Mynihut: “Flamuri i ylberit shpreh mënyrën se si duam të jetojmë: me respekt për njëri-tjetrin dhe kundër diskriminimit.” Ndërsa kryeministri bavarez Markus Söder tha: “Ky flamur sinjalizonte lirinë për të cilën angazhohet shoqëria jonë”.

Kurse sipas agjencisë hungareze të lajmeve MTI, ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto i kishte kritikuar planet, duke thënë se “është jashtëzakonisht e rrezikshme të përzihet sporti dhe politika. Përvoja historike tregon se kjo është një gjë e keqe, dhe gjermanët e dinë këtë më mirë se kushdo”.

Një ditë më parë UEFA ndërpreu hetimin që kishte nisur ndaj kapitenit të kombëtares së Gjermanisë Manuel Neuer, i cili mbajti në krah një shirit me ngjyrat e ylberit si pjesë e Javës Ndërkombëtare të Krenarisë./DW

Top Channel