Bashkim Shehu: Në shkrimet e mia janë përfshirë elemente të jetës suaj po aq sa të jetës sime

13/06/2021 22:43

Bisedoi Andreas Dushi

A. D: Zoti Bashkim, “Përse shkruani?” Librin tuaj të parë, “Një kohë tjetër” me novela e tregime e keni botuar në vitin 1977 e më pas, deri me rënien e diktaturës, nuk botuat sërish, edhe pse jam i sigurt se keni shkruar.

B. Sh: Duhet të kthehem në një moment edhe më të hershëm si ai i librit të parë, me tregime të shkruara në moshat 19 deri 22 vjeç. Duhet të kthehem te gjëja e parë që kam shkruar në jetën time. Kjo ndodhi kur isha 10 vjeç. Kisha në duar një roman për fëmijë diçka më të rritur, “Gojana krifëverdhë” titullohej. Nuk e lexova nga fillimi në fund, po vende-vende, dhe faqet e fundit i lexova integralisht. Atëherë, zura ta rishkruaja fundin e librit, në pjesën bosh të faqes së fundit, rreth çerek faqe, me sa më kujtohet. Pastaj, nuk shkrova më, deri në moshën 17 vjeç. Në atë moshë u ndërgjegjësova që doja t’i kushtohesha krijimtarisë letrare. Dhe qysh nga ajo kohë kam vazhduar të shkruaj. Dhe kam vazhduar, siç supozoni ju, edhe në periudhën midis librit tim të parë dhe rënies së diktaturës, duke përfshirë periudhën e burgut dhe të internimit. Ndërkaq, në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar qysh nga ato radhë që shkrova me një laps të shkurtër bojëkafe të çelët në pjesën bosh të faqes së mbrame të një libri duke e ndryshuar përfundimin e tij. Bota ku jeton njeriu nuk është bërë për njeriun dhe njeriu nuk është bërë për t’u ndier si në shtëpinë e tij në botë, e megjithatë kërkon me ngulm që të jetë, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ekziston diçka e tillë si letërsia, sikurse edhe forma të tjera të imagjinatës në veprim, ku përfshihen jo vetëm artet, po edhe filozofia, edhe përjetimi i miteve fetare me ngushëllimin për pavdekësinë e shpirtit, dhe shumë gjëra të tjera… nëse fjala “arsye” ka vend në këtë mes.

A. D: Po ajo hapësirë kohore mes librit të parë dhe librave të tjerë, e shtrirë në, pak a shumë, në një dekadë e gjysmë, pse ka ndodhur, nga se ka ardhur?

B. Sh: Pjesën më të madhe të asaj periudhe e kalova në burg dhe në internim, tetë vjet dhe një vit e gjysmë përkatësisht. Dhe gjatë atyre viteve, afërmendsh, nuk mund të botoja asgjë. Megjithatë, kam shkruar edhe në burg e në internim, disa qindra faqe tregime e novela. Ato dorëshkrime kanë udhëtuar në koordinata të ndryshme të gulagut shqiptar: burgu i Burrelit, kampi i Spaçit, kampi i Kosovës së Lushnjes, fshati Malinat (në internim), si dhe kampi pranë një fshati të quajtur asokohe “Përparim”. Këtë itinerar dhe peripecitë e tij i kam përshkruar në një tekst të shkurtër pasi dola nga burgu. Të gjitha dorëshkrimet e mia të burgut arritën të shpëtonin, dy prej tyre me ndihmën e mikut dhe bashkëvuajtësit tim Fatos Lubonja, ndërsa të tjerat munda t’i nxirrja vetë. Dhe të gjitha tashmë janë botuar në shqip dhe shumë prej tyre në gjuhë të tjera. Disa u botuan më parë jashtë vendit, ngase në fillimet e postkomunizmit në Shqipëri industria e librit ishte në koma. Por në periodikë të ndryshëm letrarë, kam botuar edhe në vitet midis librit tim të parë dhe burgut, edhe menjëherë pasi dola nga burgu.

Top Channel