Në fushën e blertë ai lëviz me thjeshtësinë dhe dritëhijet e një adoleshenti që sapo ka zbuluar magjinë e topit, por jashtë saj, Lamine Yamal po dëshmon se ka hyrë me shpejtësi të rrufeshme në kodet e rrepta të industrisë së luksit.

Përpara supersfidës “El Clásico”, ylli i ri i Barcelonës tërhoqi vëmendjen e kamerave jo vetëm për përqendrimin e tij sportiv, por për një zgjedhje estetike që bashkon modën e rrugës (streetwear) me ekskluzivitetin më të lartë të modës pariziane dhe zvicerane.

Nëse dikur lojtarët e moshës së tij mjaftoheshin me uniformën zyrtare të klubit, gjenerata e re e futbollit po e kthen parakalimin përpara ndeshjes në një pasarelë të mirëfilltë stili.

Anatomia e një “Outfit-i” Ekskluziv

Ajo që në pamje të parë ngjan me një veshje komode dhe sportive për një djalosh 18-vjeçar, në fakt fsheh shifra marramendëse. Detajet e përzgjedhura nga Yamal flasin për një kurator të kujdesshëm të imazhit të tij:

  • Xhaketa Rozë dhe Pantallonat (Stone Island): Një markë që ka bërë epokë në kulturën urbane europiane. Xhaketa prej $1,575 dhe pantallonat e zeza prej $650 ofrojnë atë lloj komoditeti të shtrenjtë që nuk kërkon të bërtasë, por që njihet menjëherë nga logoja ikonike e busullës në mëngë.
  • Atletet (Louis Vuitton): Të vlerësuara në $1,330, ato plotësojnë siluetën e gjerë (oversized) që dominon tendencat e fundit të modës së lartë.
  • Çanta (Hermès Paris): Ky është ndoshta elementi më befasues. Një model i shtëpisë historike franceze, që kap vlerën e $10,420. E mbajtur diagonalisht, ajo thyen çdo rregull tradicional të modës mashkullore, duke dëshmuar se Yamal nuk i ndjek rregullat, por i vendos ato.
  • Ora (Rolex Daytona Rose Gold): Aksesori që mbyll këtë ekuacion luksi është një kryevepër e mekanikës zvicerane prej ari rozë, me vlerë $62,000.

Vlera totale e shfaqjes: $75,975

Matematika e kohës: Sa kushton luksi për një talent?

Për opinionin publik, një shifër e tillë për një veshje të vetme mund të ngjajë si një kapriço e pashpjegueshme. Mirëpo, kur kjo shifër vendoset përballë rritjes gjeometrike të të ardhurave të sulmuesit të Barcelonës, perspektiva ndryshon plotësisht.

Me një kontratë solide që kap shifrën e rreth $3,500,000 në vit (pa llogaritur kontratat e majme të sponsorizimit me gjigantët e veshjeve sportive), aritmetika e buxhetit të Yamal kthehet në një ushtrim mjaft interesant:

  • Paga Mujore: ~$291,600
  • Paga Ditore: ~$9,720
  • Paga për Orë: ~$405

Nëse do të bënim një llogari të pastër të kohës që i duhet këtij talenti për të financuar këtë paraqitje televizive, rezultati është thuajse poetik. Lamine Yamal-it i mjaftojnë saktësisht 7 ditë e gjysmë “punë” në fushën e stërvitjes për të mbuluar të gjithë vlerën e kësaj veshjeje. Praktikisht, nga e hëna në të hënën tjetër, garderoba e tij e re është e garantuar.

Ndërsa bota e futbollit diskuton nëse ai do të jetë trashëgimtari i rradhës i Topit të Artë, në aspektin e stilit Yamal e ka gjetur tashmë rrugën e tij. Ndoshta i vetmi element vërtet “tokësor” në të gjithë këtë set mbetet shishja e ujit që mban në dorë – një kujtesë e vogël se, pavarësisht Rolex-it në kyç, etja për sukses në fushë shuhet ende me të njëjtat mjete si të gjithë ne të tjerët.

 

Top Channel