44-vjeçari i dehur ecte me shpejtësi të lartë pranë vendit ku ndodhi tragjedia e Durrësit, gjatë ndjekjes së policisë përplas makinën tyre

16/05/2026 22:40
Foto Ilustruese

Nuk kanë të sosur “bishat” e dehur në rrugët e Durrësit.

Një 44-vjeçar në gjendje të dehur në përpjekje për t’i ikur policisë që po e ndiqte ka përplasur automjetin e policisë. Patrulla ishte njoftuar për një shtetas që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në rrugët e lagjes 17, zonës së ish-Kënetës dhe është vënë në ndjekje të tij.

Po në përpjekje për ta ndaluar ai është përpjekur të ikë dhe më pas duke ecur mbrapsht ka goditur makinën e policisë. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm një rrugicë më tutje, asaj ku ndodhi tragjedia që i mori jetën dy fëmijëve dhe plagosi një tjetër.

Pas kësaj 44-vjeçari Rezart Abazaj, u arrestua në flagrancë dhe prokuroria po kryen veprimet procedurale ndaj tij. Ndërkohë pas testit të alkoolit rezultoi me 1.4 mg/l, dyfishin e sasisë së Nikoll Radaçit.

Ndërkaq dhe Abazaj rezulton të jetë përsëritës për veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

Ai qe arrestuar dhe më 5 mars të këtij viti nga policia pas një incidenti me automjet, në gjendje të dehur, në rrugën Vellazërimi, por gjykata caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje ndaj tij, duke e kthyer sërish në rrugë dhe rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës, përfshirë dhe të punonjësve të policisë.

 

Top Channel