Lejet e ndërtimit janë gjallëruar në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Instat, bashkitë kanë miratuar gjatë periudhës janar-mars në të gjithë vendin 251 leje ndërtimi, rreth 67 më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ku rekordin e mban Tirana. Paralelisht, rritje ka shënuar edhe sipërfaqja e dhënë për këto leje duke arritur në rreth 600 000 m2.
Vlera e përafërt e lejeve të miratuara për ndërtesa të reja e punime inxhinierike në tremujorin e parë të 2021 që përkoi edhe me fushatën parazgjedhore, thuajse është dyfishuar duke arritur në 26.6 miliardë lekë apo rreth 216.6 milionë euro në tremujorin e parë, nga 13.4 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të viti të shkuar.
Me 72 leje, Tirana rezulton edhe qarku me më shumë leje të dhëna, edhe pse në rënie krahasuar me të njëjtin tremujor të 2020-ës, por edhe me atë paraardhës.
Më shumë leje janë dhënë edhe në qarkun e Durrësit me 44 të miratuara në muajt janar-mars si dhe në atë të Lezhës me 26 leje të miratuara.
Kjo rritje e lejeve të reja për ndërtesa në këto qarqe lidhet edhe me procesin e rindërtimit, zona në të cilat po ndërtohen banesat individuale apo lagjet e reja për të prekurit nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës.
Më shumë leje për ndërtime të reja se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kanë dhënë edhe bashkia e Fierit dhe Korccës, përkatësisht me 26 dhe 24 leje të miratuara në tremujorin e parë.
Pjesa më e madhe e lejeve janë dhënë për ndërtesa banimi, për një, dy apo më shumë kate, ndërsa pjesa tjetër edhe pse më shumë në numër se periudha janar-mars e vitit të shkuar janë miratuar për ndërtime të reja kryesisht për hotele e struktura të tjera akomoduese, godina për zyra apo ndërtesa tregtare.
Top Channel