Karabinierët e Compagnia di Osimo, në Italia arrestuan tre shqiptarë, dy burra të moshës 44 dhe 38 vjeç dhe një 25-vjeçare, nën akuzat e trafikimit të drogës.
Mediet italiane shkruajnë se mbrëmjen e djeshme policia, ndërsa ishte për vëzhgim në Fornaci di Castelfidardo po ndiqnin me vëmendje lëvizjet dyshuese të një burri dhe një gruaje, që ishin në parkingun e një supermarketi. Ata panë shqiptarin që nxirrte diçka nga bagazhi dhe e shkëmbente me ngut, duke i marrë më pas paratë vajzës.
E njëjta gjë ndodhi, disa minuta më vonë, me një person tjetër që ndodhej në një makinë Mitsubishi Outlander, po në parkingun e supermarketit. Menjëherë policia nxitoi të ushtronte kontroll në makinën e tyre.
Shqiptari i parë u konstatua se i kishte shitur 35 gramë kokainë gruas shqiptare dhe më pas ajo ia transferoi disa gramë shqiptarit tjetër 38-vjeçar.
Nga kontrollet e ushtuara në shtëpinë e shqiptarit 44-vjeçar u gjet 160 gram kokainë, e mbledhur në 13 pako, 2,200 euro para kesh dhe një peshore elektronike. Ndërsa 38-vjeçarit iu gjetën edhe 3 gram kokainë, e mbyllur në po aq mbështjellës celofani të gatshëm për shitje dhe material i përshtatshëm për paketimin e drogës. Kurse 25 vjeçares iu gjetën 490 euro.
Ata të tre u arrestuan, kokaina, materiali paketues dhe paratë e gjetura u sekuestruan. 44-vjeçari u shoqërua me burgun e Ancona Montacuto, ndërsa dy të tjerët u lanë në arrest shtëpie.
Top Channel