Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e sotme në Vlorë. Në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Delon Troqe, 38 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.
Top Channel mëson se viktima kishte rreth 2 javë që ishte kthyer nga Spanja. Po ashtu, mësohet se viktima ka qenë i dënuar dhe ka bërë disa vite burg në moshën e adoleshencës. Troqe kishte në pronësi një servis skafesh në Vlorë, madje kishte në pronësi edhe servisin, në vendin ku u vra.
Nga pamjet e siguruara nga Top Channel shihet një e afërme e viktimës e cila qan dhe bërtet mbi trupin e pajetë.
Ndërkohë që një makinë është gjetur e djegur në zonën e Sherishtës në Vlorë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, të cilët pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes kanë djegur makinën për të fshehur gjurmët e vrasjes.
Delion Troqe rezulton se është i afërmi i Elvis Troqes, i zhdukur pa gjurmë që prej 2018-ës.
Materiali që ‘Top Story’ ka përgatitur për rrëmbimin e 24-vjeçarit Elvis Troqe, pak orë përpara fejesës:
Një tjetër djalë i ri zhduket mbrëmjen e 17 korrikut 2018 në Vlorë. Elis Troqe, 24 vjeç rrëmbehet në mes të qytetit. I sapokthyer nga Italia, ku kishte kryer dënimin për trafikim të lëndëve narkotike, Elvisi kishte vendosur të ndërtonte një jetë të re.
Ditën e ditëlindjes së nënës, Marselës, më 17 korrik 2018 do ti prezantonte dhe vajzën e ëndrrave të tij.
Pak para darkës së madhe, rreth orës 18:00, ka dalë nga shtëpia, për tu takuar me një mikun e tij. Vendtakimi ishte Bar “Havana”.
Ka porositur një kafe dhe ujë dhe pas 5 minutash është ngritur nga tavolina duke I thënë mikut të tij se do të takonte 2 minuta një shok e do të kthehej shpejt.
Një “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, e priste në rrugën kryesore. Ervisi pasi përshëndetët me drejtuesin e mjetit hipën në makinë ku dallohen dy persona.
Makina merr rrugën për në “Lungo Mare”, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i shtatë pallateve” drejtohet për nga hotel “Rexhina”. Më pas makina zhduket në afërsi të kompleksit Oslo në Vlorë.
Në mbrëmjen e vonë, Krenar Troqi shqetësohet për mungesën e të birit, nis të kërkojë për të nëpër lokalet e qytetit. Asgjëkundi nuk gjen gjurmë të Elvisit.
Po atë natë, Krenari i është drejuar Policisë duke denoncuar humbjen e të birit.
Zhdukja e Albano Xhaferajt dhe Elvis Troqes janë rastet e zhdukjes së personit që po hetohen nga prokuroria.
“Kemi pasur dy raste, që pas verifikimeve të kryera nga prokuroria e Vlorës, duke qenë se janë konstatuar element të veprave penale, të rrëmbimit të personit, prokuroria gjyqësore e rrethit Vlorë, sigurisht ka bërë regjistrimin e materialeve që janë referuar nga komisariatet”, – thotë prokurorja Flora Çela.
Policia ka arrestuar Besart Zharran, pronari i makinës ku është parë për herë të fundit i gjallë Elvisi.
Të dhënat e dosjes hetimore tregojnë se Zharra ka dëshmuar se makinën e ka për përdorim vetjak dhe nuk ka asnjë njohje me 24 vjeçarin.
Më 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, policia ka shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla, i gjetur me paterica dhe me një këmbë.
I pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit, Inez ka shpjeguar për oficerët e policisë se më datë 17 korrik 2018, rreth orës 17:30 ka dalë nga banesa për të bërë fizioterapi dhe se nuk ka asnjë njohje me 24 vjeçarin.
Por ecurinë e hetimeve prokuroria e Vlorës i konsideron sekret hetimor.
“Aktualisht për materialet që ne kemi,unë nuk mund të them shumë për këtë pjesë”, – thotë prokurorja Flora Çela.
Zhdukja një një kohë të shkurtër e dy të rinjve nuk tronditi vetëm qytetarët e Vlorës.
Top Channel