Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha ka folur publikisht për konfliktin mes Dua Lipas dhe Rita Orës.
Teksa fliste për albumin e saj të dytë, “Better Mistakes”, që përmban bashkëpunime me Travis Barker dhe Ty Dolla $ign, Bebe shprehu keqardhje për bashkëpunimin që nuk u realizua dot me Dua Lipën dhe Rita Orën. Bebe tha se bashkëpunimi ka gjasa të mos realizohet kurrë për shkak të marrëdhënies së Duas dhe Ritës.
“Jam përpjekur vërtetë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur ose për çfarë është zënka. Jam përpjekur të vendos paqe dhe t’i bashkoj vajzat. Do të doja shumë të bënim diçka të gjitha bashkë, por nuk jam e sigurt nëse do të ndodhë. Nuk dua të flas më tepër për këtë”, tha ajo për The Sun.
Bebe shtoi se konkurrenca mes tyre mund të jetë rritur për shkak të presionit të të qenit grua në industrinë e muzikës. “Është e çuditshme sepse unë e di si është që të jesh vajzë dhe ne ndonjëherë bëhemi shumë konkurruese. Nuk po flas për vetëm për veten, Duan, Ritën apo Ava Max, po flas për gratë në përgjithësi”, tha Bebe, duke theksuar se është krenare që të katërta kanë të njëjtën origjinë dhe vijnë nga i njëjti vend.
Top Channel