“Ky virus brejtës që blua mi ka mushknitë për nji muej ditë” Çun Lajçi tregon gjendjen e rënduar përmes vargjeve

04/05/2021 17:01

Aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi është duke u përballur me COVID-19.

Ai është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe aktualisht ndodhet në Repartin e Pulmologjisë.

Aktori i njohur ka publikuar disa fotografi nga trajtimi në QKUK, duke e cilësuar si mjerim gjendjen të cilën po e kalon.

Duke u ankuar për kushtet e këqija, Lajçi më tej shkruan se duhen hetuar fondet që kanë qenë të destinuara për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve mjekësore.

Statusi i tij i plotë:

“Vetëm për juve. Me të gjitha gazepet që ndjen shpirti im, nga ky virus brejtës do t’thosha unë, që blua mi ka mushknitë për nji muej ditë, e bukur fort damtua melqinë, po gjejë forcë (tue i shtrengua dhamtë e blemë të dentisti), t’iu shkruej që ta dini:
Se qeveritë e kalueme, këtu paskan pasë çua ministra me dalë n’fotografi, paraprakisht tue i çua gazetarët me i filmua, e në mbramje, ne me i pa n’TV-të tona, se sa shumë janë tue investua n’mjekësi ministrat xheparosha!?
Por, çuditërisht, rezultatet i paskan pasë marrë “gabimisht”me vete si dukët, ose eurot, që thojshin jemi tue i investua n’shendetin e popullit, se m’besoni, pos shpirtit humanitar të shqiptarit tim, qoftë mjek qoftë infermier, qoft teknik, a pastrues, këtu pak e hiç s’paska mbetë!
Çfar dallimi nga deklaratat e tyne, me gjendjen që po e shohin sytë e mi!!!
Ah sa mjerim kur po shkoj veç n’tualet!? Ku janë letrat higjenike?! Ku janë sapunat me i pastrua duert. Ku asht dizenfektanti? Ku janë letrat për duer!? Ku ka tualete pa dyer e pa çelsa!? E ku e ku e ku! Vajhalli për gra e pleq.
Trishtim kur po zbres n’podrum me i fotografu mushknitë. Kur po i shoh teknikët ne ç’kushte punojnë e rrinë (t’mos i krahasoj me minjtë, n’drita t’errta elektriku, pa ajër e dritë Zoti!
Por nji gja m’ka frymzu për kët shkrim: Mos dallimi mes pacientëve.
Me besoni se nga katër pacjentë, tre pleq tjerë trajtohen si unë (bile edhe ma mirë)!
Por jo edhe deputët e pushtetarë! Ata trajtohen atje ku ne s’kemi çasje!
Ah pushtetët, duket se ato s’ndrruekan me sa sistemet!
Por: Kur t’barabartë do t’jemi para Zotit, mjekësisë e drejtësisë, binduni se Kosova do t’jetë e dëshirumja jonë.
Kur ministrat do t’vinë këtu pa i thirrë kamerat televizive, dijeni se kanë ardhë me punua për baballarët e tyne e fëmijët e Kosovës. Kanë ardhë buxhetin për shendetësi me shti n’xhepin e mjekut, infermierit, teknikut, pastruesit, n’ilaçet e pacientëve, n’përmirësimin e kushteve e jo n’xhepat e tyne, tue dhanë tendere e tue i nda përqindjet mes veti!
Ministër Vitia! Zoti ka me t’vra, (e t’vraftë) nëse ecë rrugëve të tyne, e pret veç m’u fotografu tue i pritë vaksinat, e shqiptarin e smutë e lenë që me pensionet e shkreta, t’i blejë ilaçet për nji grimë shpresë!
S’po muj me shkrua ma shumë, se m’erdhën antibiotikët që gruja shkoi i bleu e po pres me marrë infuzionin për nji këndellje t’mushknive!
Raport i shkurt për kushtet, e nji mirënjohje deri të Zoti për pastruesit, teknikët e infermirët që na rrinë të kryet për pagat mjerane!
Falenderim për doktorët që s’i kursejnë netët pa gjumë, për nji fjalë sheruese, nji kontrollë e ndëgjim gjoksi e shpine e nji këshillë, n’kushtet (larg të dëshirueshme) që i kanë!
Qeveri.
Hetoni ato miliarda që erdhën n’emnin e shëndetësisë kosovare, se këtu, rreth e rrotull po shoh kanta plehu, e ndertime t’pa kryeme e pacjentë podrumeve si mijtë!
Por pak ma larg, atje kodrave t’Prishtinës, Marigonë, Çagllavicë e Ajvali, shtëpia mbretnore t’ish pushtetarve!
Pulmo, 03.05.2021
(Vullnetaret)”, ka shkruar Çun Lajçi.

 

Top Channel