Procesionarja është një lloj insekti që prek pishat dhe i dëmton rëndë ato.
Sipas ekspertëve, situata aktualisht është alarmante, pasi procesionarja ka prekur pjesën më të madhe të pyjeve në vend. “Procesionarja është organizëm në klasën e insekteve, një nga dëmtuesit kryesorë të pishës. Këto insekte ushqehen me halat e pishës dhe heqin gjethet. Shkaktojnë tharjen dhe i bëjnë të ekspozuara ndaj problemeve të tjera“.
Është bërë më dukshme për shkak të ndryshimeve klimatike. Larvat dalin gjatë natës dhe ushqehen me halat. Mund të shkojnë në një masë të madhe. Kemi një shkallë prekjeje 50-60%. Dëmi është në rritje. Pa hala nuk kemi procesin e fotosintezës”. Situata më e rëndë paraqitet te pisha e zezë, karakteristike për pyjet tona. “Nëse 30% e kurorës është me qeska, pema ka marrë uratën. Pisha e zezë është pisha me të cilën krenohemi nga Lura në Tropojë. Është prekur dhe Pisha Flamur në Vlorë”.
Të ftuar në emisionin “Shqipëria live”, ekspertët pranojnë se ky lloj insekti është i rrezikshëm dhe për njerëzit, sidomos për ata që kanë alergji.
Banorët e Bulqizës flasin për situatën në zonën e tyre. “Djalin e vogël e çuam në urgjencë. I dilte gjak nga sytë, nuk mund të dalim jashtë. Vjet dhe sivjet kemi parë kaq shumë nga këto insekte”.
“Çdo vit vetëm thahen. Ka mbi 5 vite që vazhdon kjo lloj sëmundje. Asnjë lloj mase nuk është marrë. Janë tharë me qindra pisha”, thotë një tjetër qytetar.
Ekspertët thonë se “për të mbajtur në kontroll procesionaren duhen 15 milion euro për të shpërndarë nëpër pyje një tjetër insekt që ushqehet me procesionaren”.
Top Channel