Tërmet te Kosova, Rrahmani braktis Kombëtaren: Nuk kthehem sa kohë janë ata drejtues Federate
Thomas Strakosha do të mungojë në startin e aventurës së Shqipërisë në Nations League, ndërsa dëmtimi i portierit kuqezi rezulton më serioz nga sa u raportua fillimisht.
Top Channel, përmes gazetarit Endi Tufa, mëson ekskluzivisht se Strakosha ka pësuar një frakturë në kyçin e dorës, dëmtim që kërkon rreth një muaj kohë për rikuperim. Portieri i AEK-ut u dëmtua më 5 shtator, në ndeshjen e kampionatit grek ndaj Arisit, të fituar 5-0 nga skuadra e tij. Strakosha luajti të gjithë takimin, pasi në momentin e dëmtimit nuk e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për një frakturë.
Vetëm pas kontrolleve mjekësore të kryera pas ndeshjes u konfirmua se dëmtimi ishte një thyerje në kyçin e dorës. Pikërisht për këtë arsye, Strakosha mungoi në sfidën e Champions League ndaj LASK-ut më 8 shtator. Edhe pse trajneri i AEK-ut, Marko Nikolić, e cilësoi dëmtimin jo serioz, informacionet e siguruara ekskluzivisht nga Top Channel tregojnë se portieri do të ketë nevojë për disa javë rikuperim, me një periudhë të parashikuar rreth një muaj.
Në këto kushte, Strakosha pritet të humbasë të paktën katër ndeshjet e para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve:
26 shtator – Shqipëri–Bjellorusi
29 shtator – San Marino–Shqipëri
3 tetor – Finlandë–Shqipëri
6 tetor – Shqipëri–San Marino
Një goditje e rëndësishme për trajnerin Rolando Maran, i cili përballet me problemin e mungesës së një prej portierëve kryesorë të Kombëtares pikërisht në startin e një fushate ku Shqipëria synon të luajë një rol protagonist.
Strakosha do të vijojë periudhën e rikuperimit dhe objektivi është rikthimi pas pushimit të kombëtareve, në varësi të ecurisë së shërimit dhe vlerësimeve të stafit mjekësor. Një dëmtim që fillimisht dukej i lehtë, por që pas kontrolleve rezultoi një frakturë dhe tashmë e lë Thomas Strakoshën jashtë për rreth një muaj.
Top Channel