“Veliaj në burg, absurd i kryeqytetit”, Rama për hetimet ndaj Belinda Ballukut: Nuk e mbron askush, çështjen e ka me drejtësinë

11/09/2026 21:21

Kreu i qeverisë, Edi Rama, u shpreh se zv.kryeministrja Belinda Balluku ka një çështje me drejtësinë, dhe se ai në lidhje më këtë nuk ka komentuar, por vetëm mbi standardin dhe parimin.

Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin ‘Flasim’ të Kryeministrit, Rama u shpreh se në këtë çështje me drejtësinë, nuk e mbron askush.

“Në rastin e Belinda Ballukut u ngatërrua shumë keq një gjë tjetër, që nuk kishte lidhje me të. U përdor masë absurde e pandodhur në historinë e botës, pezullimin e një ministri nga detyra. Prokuroi së bashku me një gjykatës u bashkuan në një dhomë dhe vendosën që të bënin kryeministrin, parlamentin dhe presidentin.

Nuk i sfidova unë, u sfiduan Kushtetuta e Shqipërisë, u sfidua një pushtet i pavarur. Ne nuk jemi të pavarur nga ligji, ne duhet ta zbatojmë, ata janë atje të pavarur nga ne. Ata nuk janë të pavarur në pikën që të vendosin për ne.

Aty u shkel vija e kuqe, unë isha cinik në raport me të nesërmen.

Në rastin e Ballukut, SPAK hyri në territorin tim si kryeministër dhe në territorin tonë si shumicë parlamentare dhe në territorin e presidentit.

Balluku ka një çështje me drejtësinë, në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë, është i njëjti standard, nuk kam folur as për çështjen e Beqajt për të cilin pres të shoh ku është korrupsioni, pres ta shoh, nuk e kam parë akoma.

Kam folur vetëm për çështje të parimit dhe standardit, kështu që ajo ka një çështje me drejtësinë aty as unë dhe askush nuk e mbron, aty ajo mbron veten e vet për sa i takon të mbrojë veten e vet”, tha ai.

Rama ka komentuar edhe rastin e Erion Veliajt.

“Kryetari i zgjedhur të rrijë i mbyllur në paraburgim, absurd i kryeqytetit. E pamundur të komunikosh”, tha Rama.

Top Channel