Programi “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e sotme trajtoi historinë e dashurisë së Fevjolës dhe Mondit, një histori dashurie 15-vjeçare. Historia e dashurisë së Fevjolës dhe Mondit kishte nisur nga një takim tepër i rastësishëm në një kafe. Ajo në studio rrëfeu se me Mondin ishte njohur që në fakultet, falë një miqësie të përbashkët që kishin.
Mondi studionte në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ndërsa Fevjola studionte tek fakulteti i Ekonomisë, prandaj për këtë arsye ata kishin qenë shumë pranë njëri-tjetrit gjatë gjithë kohës. Fevjola tregoi se midis tyre nuk ka pasur kurrë debate, por si çdo lidhje dhe ata kishin kaluar disa sprova.
Mondit i ishte dashur që të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Sarandë dhe lidhja e tij me Fevjolën për disa vite me radhë ishte shndërruar në një lidhje me distancë. Fevjola rrëfeu se çdo lidhje në distancë ka shumë vështirësi, madje sipas saj, distanca mund të çojë drejt ndarjes, por rasti i tyre kishte qenë krejtësisht i kundërt.
Distanca sipas saj i kishte afruar më shumë me njëri-tjetrin dhe ata kishin vendosur që këtë lidhje ta kurorëzonin me martesë. “Ti e di tepër mirë se sa shumë të dua dhe se çfarë vlere ke për mua. Kemi kaluar shumë aventura të bukura bashkë dhe shpresoj që të kalojmë shumë përvjetore të tjera, por dua të të falenderoj sepse në këto 15 vite ti ke sakrifikuar shumë për mua dhe familjen tonë. Për mua ti je perfekti, prandaj të dua shumë!”,- ishin fjalët e Fevjolës për Mondin.
Nga ana tjetër, Mondi u shpreh se nuk e priste kurrë këtë surprizë nga Fevjola, madje ai kishte qenë i sigurt që nuk ishte ajo. Në fund, Mondi dhe Fevjola për të festuar 15-vjetorin e martesës, kërcyen një vals tepër romantik.
Top Channel