Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë muajit mars do të arrijnë në Kosovë vaksinat e para anti-COVID-19.

Kosova do të përfitojë mbi 100 mijë doza të vaksinës COVAX.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Hoti theksoi se autoritetet kosovare po zhvillojnë aktualisht negociata intensive edhe me prodhues tjetër të vaksinës anti-COVID-19 për të siguruar numrin e nevojshëm të tyre.

“Gjatë këtij muaji pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti-COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, tha ai.

Këtë deklaratë Hoti e ka bërë në takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) Naser Ramadani dhe me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ku u bisedua rreth situatës epidemiologjike në vend.

“Pasi vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor”, shkroi Hoti.

Gjithashtu nga ky takim është bërë thirrje për rritje të angazhimit për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 edhe nga shtabet komunale, Policia dhe Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë (AVUK), si dhe u është bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha masat për parandalimin e mëtutjeshëm të virusit.

Në Kosovë dje me 591 raste të reja, është shënuar numër rekord i të infektuarve me COVID-19 brenda 24 orëve për vitin 2021, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 71.344 raste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA