Mund t’ ju duket e çuditshme se si një person mund të ketë alergji nga uji, por ja që është e vërtetë.

“Aquagenic urticaria” është një sindromë në të cilën lëkura acarohet dhe formon njolla të kuqe nëse bie në kontakt me ujin. Sëmundja është ndër më të rrallat dhe prek 1 në 230 milionë njerëz.

22-vjeçarja, Tessa Hansen-Smith jeton çdo ditë me këtë gjendje dhe shpërndan eksperiencën e saj në Instagram dhe rrjete të tjera sociale.

“Është shumë e vështirë, pasi unë jam alergjike edhe nga vetë lotët e mi, pështyma apo djersa ime. Më lodh nxehtësia dhe duhet ta shmang aktivitetin fizik”, shprehet ajo.

Hansen-Smith shfaqi simptoma që në moshën 8-vjeçare, kur shpërthente në skuqje sa herë që lagej me ujë ose bënte dush. Prindërit fillimisht menduan se ajo kishte një reaksion alergjik ndaj sapunëve dhe shampove të caktuara, por edhe pasi ndaloi t’i përdorte ato, gjendja e Tessës ishte e njëjtë.

Mamaja e saj mjeke, Hansen-Smith, u bind dy vite më vonë se vajza ishte “alergjike ndaj ujit”.

Në fillim, ajo thotë se merrte ilaçe kundër alergjisë, por me rritjen e saj, gjendja i përkeqësohej dhe ilaçet nuk funksiononin më. Në një periudhë ajo merrte 12 tableta në ditë, ndërsa tani nuk merr.

22-vjeçarja tregon se gjithsesi, jetesa me një gjendje të tillë s’është e lehtë. Ajo ndjen shpesh lodhje të muskujve dhe duhet të konsumojë ushqime që përmbajnë shumë lëngje, si fruta apo perime. Edhe pirja e ujit mund t’i shkaktojë sikur po e presin në gjuhë.

Sidoqoftë, me gjithë vështirësitë, Tessa nuk ka lejuar që sëmundja t’i kontrollojë jetën.

“Unë përpiqem t’i marr gjërat me radhë sepse disa ditë janë më të mira se të tjerat. Nëse takoj miqtë dhe njerëzit e dashur pa nevojën për t’u larguar sepse ndihem e lodhur, këtë e quaj si një fitore”, tha ajo.

Në Instagramin e saj “Living Waterless” (Duke jetuar pa ujë), përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, Tessa tregon edhe më shumë detaje për eksperiencën e saj. Për shembull, ajo thotë se bën dush një herë në dy muaj dhe përpiqet të shuajë etjen me qumësht.

 

FOTO GALERI
8/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA