Goditja e krimit të organizuar dhe korrupsionit është një punë e vështirë jo vetëm për prokurorët e posaçëm të SPAK, por edhe për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Me këtë argument një grup pune i ngritur posaçërisht që veç rrogës po rishikon ligjin e strukturës antikorrupsion, dhe kërkon mes të tjerash që agjentëve të BKH tu paguhet 60 përqind e rrogës si vështirësi pune, njëlloj siç veprohet edhe me prokurorët e SPAK.

Nëse hetuesit e BKH do kishin nisur detyrën njëherësh me ngritjen e prokurorisë së posaçme SPAK, ata do të kishin punuar për një kohë të gjatë pa rrogë.

Madje kjo gjë do të ndodhte edhe nëse do kishin nisur punë këtë të hënë. Për FBI-në shqiptare , ligjvënësi ka harruar të qartësojë statusin e hetuesve të krimit të organizuar dhe super të korruptuarve, duke e krahasuar me punën e një oficeri të policisë gjyqësore në prokuroritë e zakonshme që paguhet me 60 përqind të pagës bruto fillestare të prokurorit.

Pikërisht ky ngërç ka ulur në tavolinë ekspertët shqiptarë dhe të huaj, përfshi edhe prokurorët e SPAK që po nxitojnë ta eleminojnë këtë vakum ligjor përpara se hetuesit e parë të BKH të marrin detyrën. Nga 60 hetues që duhet të kishte, byroja pritet të plotësohet me numrin minimal dhe krahas vettingut që po kryhet ndaj 39 kandidatëve që kanë mbetur në gare, ky propozim synon të zgjidhë çështjen e rrogës së hetuesit dhe të shefit të BKH .

Ky diferencim në page sipas burimeve të TCH synon mes të tjerash të garantojë ekonomikisht hetuesin e BKH për të mos u korruptuar. Në propozimet për ndryshimin e ligjit, sygjerohet që hetuesit të BKH t’i garantohet edhe familja me një page minimale për rastet kur partneri apo partnerja është pa punë. Këto kërkesa ku diskutohet edhe pensioni i parakohshëm i një hetuesi të BKH, sipas misionit që ai kryen, vijnë në të njëjtën kohë kur byrosë kombëtare i është miratuar struktura.

Burime të Top Channel pohojnë se pas debateve në komisionin e ligjeve, është vendosur që përveç 60 hetuesve të BKH të përfshihen në super strukturën Antikorrupsion edhe 50 oficerë të policisë gjyqësore që do të rekrutohen nga agjensive ligjzbatuese të doganave , tatimeve dhe pastrimit të parave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA