Humbja me rezultatin 1-3 ndaj Manchester City-t në “Stamford Bridge” ishte e katërta në 6 javët e fundit për Chelsean e Franck Lampard, që me vetë, 4 pikë në 6 ndeshje, ka zbritur në vendin e tetë në renditje dhe pozitat e trajnerit janë lëkundur ndjeshëm.

Londinezët ishin skuadra që shpenzuan më shumë gjatë merkatos së verës, duke afruar shumë futbollistë të talentuar si Havertz, Werner, Chilwell, Ziyech, etj., të cilët nuk po e përligjin aspak investimin dhe tani skuadra po has vështirësi edhe për të arritur një vend në zonën Champions.

Orët e fundit janë shtuar shumë zërat për një shkarkim të mundshëm të trajnerit Franck Lampard, i cili është në stolin e Chelsea-t prej 18 muajsh dhe pavarësisht marrëdhënieve mjaft të mira me Roman Abramnovic, ky i fundit shquhet që e humb shpejt durimin.

Megjithatë vetë Lampard, në intervistën e dhënë pas ndeshjes me “Citizens” pranoi se pankina e tij është vazhdimisht e rrezikuar dhe punon nën presion, por shtoi se ka në organikë lojtarë të rinj, të cilët duan kohën e tyre për të marrë përsipër skuadrën.

“Pankina e një trajneri është gjithmonë e rrezikuar dhe unë punoj vazhdimisht nën presion për rezultat dhe lojë më të mirë. Kur bëhesh trajner, i merr parasysh të gjitha.Gjithsesi kemi një skuadër që përveç Kante dhe Thiago Silvës, ka shumë emra të rinj, disa prej të cilëve janë rishtazi në Premier League dhe duan kohë të ambientohen e të udhëheqin skuadrën në fushë. E vetmja gjë që më mbetet, është të punoj sa më shumë për të rritur këtë grup, që ka cilësi, pro po luan në një sezon të pazakontë, ku nuk kryem një fazë përgatitore të mirëfilltë”, u shpreh Lampard.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA