Ky është edicioni i fundit informativ për vitin 2020. Kemi kaluar së bashku një vit shumë të trazuar dhe të vështirë për të gjithë. Pandemia e Covid, që nisi pranverën që shkoi preku shumë persona dhe fatkeqësisht shumë familje humbën më të dashurit e tyre.
2020 ishte një vit shumë i vështirë për të gjithë shqiptarët, kur vendi ende nuk kishte marrë veten nga tërmeti nisi pandemia e cila ka lënë gjurmë të thella tek të gjithë ne. Na ka kushtëzuar dhe ndryshuar mënyrën e jetesës.
Izolimi dhe distancimi fizik na ka kufizuar kontaktet me miqtë e të afërmit. Shumë gjyshër nuk kanë mundur të qëndrojnë afër nipave e mbesave të tyre, e shumë familje qëndruan të ndara në emigrim.
Shumëkush bashkohet me mendimin se nuk ka asnjë keqardhje që 2020 po ikën! Por edhe me urimin që në vitin 2021 të kemi më shumë qetësi e shëndet. Dhe lajmet e mira po vijnë, vaksinat anticovid janë duke u shpërndarë dhe së shpejti mbërrijnë edhe në Shqipëri. Të parët do të vaksinohen mjekët, sepse ata më të rrezikuarit për shkak të kontakteve me të sëmurët në spitale.
Në fakt heronjtë e vitit 2020 janë MJEKËT. Ata që po përballen me luftën më të egër të pandemisë dhe për sakrificën që po bëjnë janë edhe më të vlerësuarit. Sondazhi i organizuar nga Top Channel për personazhin e vitit, i shpall mjekët fitues me votat e dhjetëra mijë ndjekësve.
Nuk është as emër politik, as protestuesit, por janë mjekët ata të cilët janë të renditur të parët, ndër 10 personazhe të cilët u votuan në sondazhin e hapur në websiten e Top Channel këtë fundvit.
Votat e qytetarëve, në fakt e të gjithë atyre që informacionin kanë zgjedhur ta marrin nëpërmjet ekranit të Top Channel dhe websitet tonë kanë vlerësuar edhe njëherë, ata heronjtë, të cilët për 10 muaj u përballën me Covid-19 dhe të panjohurat e tij, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, deri edhe jetën, për të ndihmuar dhe shpëtuar njerëz.
Në fakt ata që votuan nuk veçuan emra apo individë, por vlerësuan të gjithë mjekët. Doktoresha Eugerta Dilka nga Sanatoriumi i Tiranës nuk harron të veçojë reanimatorët, mjekun e familjes, infermierët, imazheristët, sanitarët, punonjësit e urgjencave dhe shërbimet e tjera mbështetëse.
Mjekët kanë një urim për të gjithë shqiptarët, por këtë radhe vjen me një këshillë pas.
“Nga mot gëzuar për të gjithë popullin sepse në fund të fundit do gëzojnë ata që kanë kaluar sëmundjen, do gëzojnë familjarët e tyre, njerëzit me shëndet të mirë, por mos harroni që në ditë gëzimi përsëri gëzohuni pak ndryshe nga herët e tjera, sepse mbajtja e masave për tu mbrojtur nga ky virus është shumë e rëndësishme derisa të mbërrij vaksina edhe në Shqipëri”.
“I uroj të gjithë shqiptarët ta kalojnë gëzuar dhe ta harrojnë për një moment Covid-19 dhe të kenë kujdes edhe më tej sepse ai vazhdon të qarkullojë”.
“Do festojmë dhe zemrat ju uroj të gjithë shqiptarëve ti kenë të gëzuar, por me një këshillë: ju lutem distancimi social dhe maskat, sepse përgjegjësia juaj i përket të gjithëve”.
Top Channel